Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.EKSPOZITA “NOSTRATEMPUS” NGA GAZMEND LEKA TE GALERIA “GOCAT”
Ekspozita “Nostratempus” e artistit Gazmend Leka çelet nesër në orën 18:00 te galeria “Gocat” në Tiranë. E kuruar nga Ardian Isufi dhe Ardian Kapo, ekspozita sjell një ndërthurje mes praktikës artistike dhe përvojës shumëvjeçare pedagogjike të artistit.
2. EKSPOZITA “DUA MË SHUMË SHQIPËRINË” TE “GURI MADHI” NË KORÇË
“Dua më shumë Shqipërinë”, me piktura dhe skulptura nga fondi i Galerisë së Artit “Guri Madhi” çelet prej ditës së sotme deri më 10 dhjetor në Korçë. Përmes veprave artistike, ekspozita i kushtohet Shqipërisë, identitetit kombëtar dhe dashurisë për atdheun. Disa prej punimeve prezantohen për herë të parë për publikun.
3. “SIKUR TË ISHA DJALË”, SHFAQJA NË TEATRIN “METROPOL”
Shfaqja “Sikur të isha djalë” vijon të ngjitet në skenën e teatrit “Metropol” sonte dhe nesër, më 10 dhe 11 nëntor, në orën 19:00. Bazuar në romanin e Haki Stërmillit, vepra sjell historinë e dashurisë së ndaluar mes Dijes dhe Shpendit, dy të rinj që përballen me paragjykimet dhe kufizimet e shoqërisë. Me dramatizim të Ermir Nikës dhe regji të Dritan Boriçit, interpretojnë: Xhoana Karaj; Luna Çaushollaj; Joan Mezini.
4. PUNËTORIA “VENETIKU PËRTEJ BARDHEZI” NË MUZEUN “MARUBI”
Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër organizohet nesër, më 11 nëntor, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, punëtoria krijuese “Venetiku përtej bardhezi”. Aktiviteti u drejtohet fëmijëve të moshës 6–10 vjeç, të cilët do të eksplorojnë fotografinë bardhezi përmes ngjyrave, plastelinës dhe imagjinatës.
5. JAVA KULTURORE SPANJOLLE, FILMI “NJË SHTËPI NË FLAKË”
Filmi spanjoll “Një shtëpi në flakë” (Casa en flames), me regji të Dani de la Orden, do të shfaqet nesër, më 11 nëntor, në orën 18:00, në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Filmi rrëfen historinë e Montses, e cila dëshiron të kalojë një fundjavë perfekte me familjen e saj në Cadaqués, por pritshmëritë dhe dëshira për të kontrolluar gjithçka sjellin situata të papritura.
6. “DREJTËSI NË NUREMBERG” RIKTHEHET NË TEATRIN KOMBËTAR
Drama “Drejtësi në Nuremberg” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar më 11, 12 dhe 13 nëntor, në orën 20:00. Me regji të Arben Kumbaros, shfaqja sjell një reflektim mbi drejtësinë, përgjegjësinë dhe ndërgjegjen njerëzore, përmes pyetjes: “Çfarë ndodh kur vrasim në emër të ligjit?”. Në kastin e aktorëve interpretojnë: Myzafer Zifla; Alfred Trebicka; Indrit Çobani; Lulzim Zeqja; Viktor Zhusti; Elia Zaharia; Ilirda Bejleri; Donald Shehu; Sokol Angjeli; Florian Agalliu; Neritan Liçaj; Artan Imami; Besmir Bitraku; Igli Zarka; Doriana Caushi; Gladiola Harizaj; Edison Lleshi; Livion Aliaj.
7. “10 VJET MARTESË” RIKTHHET SHFAQJA NË TEATRIN E KUKULLAVE
Shfaqja “10 vjet martesë”, me trupën “Ata të 2”, rikthehet në skenën e Teatrit të Kukullave. Ajo do të shfaqet edhe sonte në orën 20:00.












Komente
Komento