Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. PREZANTOHET “MERITACUBED”, KONCERT I “TRIO HELIX” NGA SPANJA

Trio Helix nga Spanja, e formuar në vitin 2022 në Universitetin e Muzikës në Bazel, Zvicër do të vijë nesër me një koncert në sallën “Ibrahim Madhi” të Universitetit të Arteve, duke sjellë vepra të L. V. Beethoven dhe M. Ravel. Koncerti vjen në kuadër të prezantimit të projektit evropian MERITAcubed, ku do të prezantohet platforma MERITA, materiale audiovizuale nga eksperiencat e zhvilluara në kuadër të saj, si dhe do të prezantohet projekti i kuartetit të harqeve “Kandinsky”, i planifikuar për pranverën e vitit 2027.

2.“TAVERNA E ADRIATIKUT”, FESTË E SHIJEVE E TRADITËS NË DURRËS

Nga 20 deri më 22 gusht, shëtitorja “Taulantia” në Durrës do të mirëpresë panairin “Taverna e Adriatikut”, një aktivitet i dedikuar vlerave, produkteve tipike dhe traditave të Durrësit dhe zonave turistike përreth. Hapja zyrtare e panairit do të bëhet nesër në orën 18:00.

3. “SHOW VEROR 2026”, MUZIKË, KËNGË DHE HUMOR NË VLORË

Nesër, më 20 gusht, në orën 20:00, Lungomare e Vlorës, në hapësirën e Kinemasë Verore, do të mirëpresë një tjetër mbrëmje të “Show Veror 2026”. Spektakli vjen me ritëm, këngë dhe humor, nën interpretimin e artistëve të Teatrit “Petro Marko” Vlorë. Në skenë do të ngjiten parodistët e Vlorës Afrim Agalliu dhe Agron Hamo, këngëtarët Rovena Ibrahimi, Viktor Tahiraj dhe Ludmilla Baballëku, si dhe aktorët Alba Shtëmbari dhe Ermir Hoxhaj etj.

4.LUIZ EJLLI, KONCERT NË VELIPOJË! MBRËMJE VERORE DHE ENERGJI

Mbrëmjen e nesërme Velipoja do të mirëpresë një koncert veror me këngëtarin Luiz Ejlli. Aktiviteti i shtohet kalendarit të mbrëmjeve artistike që shoqërojnë sezonin turistik.

5. FESTA E BABA TOMORRIT/ PESË DITË PELEGRINAZH NË MAL

Festa e Baba Tomorrit mbahet nga 19-24 gusht në Malin e Tomorrit. Kjo festë e madhe e pelegrinazhit do të bëjë bashkë mes të tjerash këngëtarë të ndryshëm shqiptarë.

6. KONCERT NGA MAYA NË VLORË, RITËM, MUZIKË DHE ENERGJI

Këngëtarja Maya vjen me një koncert në sheshin Lungomare në Vlorë, mbrëmjen e sotme në orën 21:00.

7. “HIMARA INTERNATIONAL MUSIC FESTIVAL” NË EDICIONIN E PESTË

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës në Himarë (Himara International Music Festival) shënon 5-vjetorin e tij me një edicion të ri që do të vijojë të mbahet deri më 23 gusht, duke sjellë në qytetin bregdetar një kalendar të pasur muzikor dhe artistë vendas e ndërkombëtarë.