1.“URAT MESDHETARE-BIENALJA E 6-TË E AKUARELIT NË TIRANË”

“Urat mesdhetare- Bienalja e 6-të Ndërkombëtare e akuarelit në Tiranë” do të çelet më 15 tetor në orën 19:00 te “Galeria e Artit”. Ky aktivitet përkon me shpalljen e Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, së bashku me qytetin e Aleksandrisë në Egjipt, një titull i dhënë nga Unioni për Mesdheun.

2. TAKIMI KOMBËTAR I ORKESTRAVE TË HARQEVE NË ELBASAN

“Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve” në Elbasan shënon edicionin e tij të dhjetë. Ai do të çelet më 15 tetor në orën 18:00 në teatrin “Skampa” në Elbasan, për të vijuar edhe më 16 dhe 17 tetor. Ky aktivitet bën bashkë orkestra dhe ansamble nga qytete të ndryshme, si: Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Berati e Ulqini.

3. “VLORA NË FRYMËN E LIRISË”, KONCERT NË TEATRIN “PETRO MARKO”

 “Vlora në frymën e lirisë” është koncerti që do të mbahet ditën e nesërme në orën 12:00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë me rastin e 81-vjetorit të çlirimit të qytetit. Aktiviteti do të bëjë bashkë artistë vlonjatë të këngës, valles, aktrimit dhe këngës labe.

4. “RRËFIMTARIA: NJË MJET SJIUMËPËRDORIMËSH” TE FILOLOGJIKU

Punëtoria “Rrëfimtaria: një mjet shumëpërdorimësh” me Prof. Ëolfram Aichinger, ligjërues i letërsisë dhe i kulturës spanjolle në Universitetin e Vjenës do të mbahet nesër në orën 11:00-13:00 në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë. Në këtë punëtori do të mund të mësoni si të shfrytëzoni fuqinë e rrëfimtarisë për t’i bërë fjalimet, shkrimet dhe prezantimet më të qarta, më të shprehshme dhe më mbresëlënëse.

5. ARTISTI I PAKICËS EGJIPTIANE, EKSPOZITË TE GALERIA E TIRANËS

“Nga skutat e skenës së artit” titullohet ekspozita me autor Bardhyl Bukri, që vijon të qëndrojë e çelur te Galeria e Tiranës. Duke punuar pranë ndërmarrjes së pastrimit të qytetit “Eco Tirana”, autori transformon mbetjet në krijime të mrekullueshme që tregojnë mundësinë e ndryshimit dhe reflektimit. Ekspozita mbështet dhe promovon kulturën e Pakicës Kombëtare Egjiptiane.

6. STUDENTËT E GRAFIKËS TE ARTET, EKSPOZITË TE GALERIA “FAB”

 “Grafika.UART” është ekspozita nga studentët e Atelierit të Grafikës në Universitetin e Arteve, që vijon të qëndrojë e çelur te Galeria “Fab” në Tiranë.

7. JAVA KULTURORE JAPONEZE, CEREMONI ÇAJI DHE SHFAQJE FILMASH

Java Kulturore Japoneze vijon me aktivitetet e saj. Sot dhe nesër në “Vila 31–Art Explora” mund të njiheni me ceremoninë japoneze të çajit, ndërsa te kinema “Agimi” në Tiranë mund të ndiqni disa filma japonezë në orën 19:00.

8. VIJON FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I DANCIT NË TIRANË

Vijon të mbahet në Tiranë edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit nën drejtimin artisik të Angelin Preljocajt. Sonte në mbrëmje, në orën 20:00, shfaqja e radhës do të mbahet në Teatrin e Kukullave.

9. “TË PARËT DHE TË FUNDIT”, PREMIERË TE TEATRI “METROPOL”

“Të parët dhe të fundit” është shfaqja me regji nga Marius Dhrami që do të shfaqet premierë në skenën e teatrit “Metropol” sonte dhe mbrëmjen e nesërme në orën 20:00.

10. “PATAT PUNËTORE”, SHFAQJA PËR FËMIJË NË QENDRËN KULTURORE

Teatër për fëmijë “Patat punëtore” është teatri për fëmijë që do të shfaqet në qendrën kulturore “Margarita Tutulani” në Berat nesër në orën 10:30.