Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian se Shqipëria ka mundësi të ndjekë në vitin 2027 rrugën e Malit të Zi, i cili është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Kos bëri të ditur se Brukseli pret që Shqipëria të mbyllë një të katërtën e kapitujve të negociatave deri në fund të këtij viti, ndërsa u kërkoi mazhorancës dhe opozitës të bashkëpunojnë për t'u dhënë reformave legjitimitet dhe qëndrueshmëri. Duke iu referuar përvojës së saj në ish-Jugosllavinë komuniste, komisionerja foli edhe për përfitimet që anëtarësimi në BE i ka sjellë Sllovenisë.
“Unë u rrita në një vend komunist që nuk ekziston më. Në ato kohë ne sllovenët vendosëm që të ndiqnim rrugëtimin drejt BE-së. Prandaj unë e kam përvojën, e kam përjetuar se çfarë do të thotë të jetosh në një sistem komunist. BE na ka sjellë shumë ne sllovenëve.
Ky Këshill ku ndodhem sot, përfaqëson atë që nevojitet për ta ndjekur me sukses dhe për ta çuar përpara rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Do të duhet që rrymat e ndryshme të politikës shqiptare të bashkojnë forcat dhe jo thjesht të zhvillojnë debate për të përmbushur aspiratat tuaja europiane. Dhe nuk kam dyshim që ju keni aspirata europiane. Kjo do t'u japë reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE legjitimitetin dhe mbështetjen e gjerë që nevojitet për të qenë të qëndrueshme në kohë.
Ky vit që ne po lëmë pas ka sjellë përparim të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj. Katër kapituj janë mbyllur tashmë dhe presim që ¼ e të gjithë kapitujve të negociatave të mbyllen deri në fund të këtij viti.
Keni ngritur institucione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky është themeli për të garantuar besimin e shteteve anëtare të BE-së. Shprehja më konkrete e këtij besimi ishte miratimi nga shtetet anëtare i raportit të vlerësimit të piketave të ndërmjetme për shtetin e së drejtës më herët gjatë muajit maj. Ky ishte një moment historik në negociatat e anëtarësimit. Ju e keni arritur atë me një shpejtësi rekord.
Mali i Zi është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Vitin e ardhshëm Shqipëria ka mundësi të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, tha Kos.
Lajmi kryesor:
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkët! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë







