Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERT NGA ORKESTRA E FILARMONISË SË KOSOVËS NË KORÇË

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës do të vijë me një koncert nesër në orën 19:30, në Qendrën e Kulturës dhe Inovacionit në Korçë nën dirigjimin e Baki Jasharit dhe me violinisten Sihana Badivuku.  Nga Verdi tek Saint-Sawns, nga tingujt simfonikë shqiptarë tek emocionet e “Serenadës Korçare”, kjo natë sjell histori, identitet dhe art në një skenë të vetme.

2.“BREZ PAS BREZI”, KONCERT NGA ANSAMBLI I KËNGËVE E VALLEVE

Koncerti “Brez pas brezi” nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të shfaqet mbrëmjen e sotme në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

3. “FLAS SHQIP”, FESTIVALI I MONONDRAMËS NË EDICIONIN E DYTË

Festivali i Monodramës shqipe “Flas Shqip” vjen në edicionin e tij të dytë në teatrin “Zonja e Bujtinës”. Ai do të çelet sot, më 15 maj, në orën 20:00 me shfaqjen “Dashuri virtuale” nga Erand Sojli.

4. “PLAGËT”, PREMIERË NË TEATRIN “ZIHNI SAKO” NË GJIROKASTËR

“Plagët” është shfaqja me regji nga Milto Kutali, që do të vijë premierë në teatrin “Zihni Zako” në Gjirokastër më sonte, nesër dhe të dielën (15, 16 e 17 maj) në orën 19:00.

5. “ZAMNA FESTIVAL TIRANA 2026”, MUZIKË ELEKTRONIKE TE LIQENI

Zamna, një nga eventet më të njohura globale në skenën e muzikës elektronike, vjen për herë të parë në Tiranë më 16 maj në Pistën e Altetikës tek Liqeni Artificial. Ritmet e ikonave të muzikës elektronike do të pushtojnë kryeqytetin për një natë elektrizuese!

6. “DAJA DHE NIPI”, SHFAQJE NË PALLATIN E KULTURËS NË LEZHË

“Daja dhe Nipi” do të shfaqet tek Pallati i Kulturës në Lezhë më 16 e 17 maj në orë 19:00. Interpretojnë: Visjan Ukcenaj , Drande Xhaj, Cubi Metkaj, Marin Orhanasi, Gent Demolli etj.

7. “PRINCESHAT DHE BIZELJA MAGJIKE” NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Princeshat dhe bizelja magjike” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë në skenën e Teatrit të Kukullave të shtunën dhe të dielën, në oraret 10:30 dhe 11:30.

8. “MODIGLIANI AVANT PREMIERE” NË GALERINË KALO NË TIRANË

Një ngjarje me rëndësi kushtuar Amedeo Modiglianit, figurë emblematike e artit të shekullit të 20-të do të vijë nga 15 deri më 30 maj në Galerinë Kalo në Tiranë.