Ka shqiptarë që mendojnë se kemi mbaruar punë me historinë. Por historia nuk ka mbaruar punë me ne. Thonë se historinë e shkruajnë fituesit, por nuk thonë se atë e mendojnë humbësit. Prej Lidhjes së Prizrenit deri te Shpallja e Pavarësisë dhe prej protestave të 1981 deri në luftën e UÇK-së, shqiptarët në Kosovës kanë qenë gjithmonë një hap përpara shqiptarëve në Shqipëri në angazhim për zgjidhjen e çështjes kombëtare.

Vetë Republika e Kosovës, sipas Ukshin Hotit dje dhe Lëvizjes Vetëvendosje sot, është menduar jo si pavarësi nga Shqipëria, por si moment për ta pritur Shqipërinë me iu ribashku hapave për bashkim kombëtar. Nëse ideja e Kosovës ka qenë dhe është konsideruar si pjesë e politikës tonë të jashtme, ideja e Shqipërisë ka qenë, deri me shpalljen e të ashtuquajturës pavarësi ahtisaariane, shtysa e brendshme e Kosovës.

Protesta e 29 gushtit në Tiranë, para ambasadës së Kosovës kundër faljes së 82km2 Malit të Zi, është shenjë se ka një qëndrim popullor, edhe brenda Shqipërisë kundër, copëtimit të mëtejshëm të territoreve shqiptare. Ky qëndrim është shpallje se kombi nuk është as pronë private e regjistruar në regjistra kadastral, as pronë e një qeverie partikulare, dhe as histori shtetërore. Kombi është inaktualja e një historie popullore që kërkon të aktualizohet.

Kombi është garancia se historia është shumë më aktuale se sa jemi ne aktualisht. Ka një kategori individësh të cilët e përgjithësojnë fajin për gjendjen tonë shoqërore tek të gjithë shqiptarët. Shpesh herë kjo bëhet për të mbuluar fajtorët. Në historinë tonë kombi i ndarë nga shteti na mëson se tradhtia kombëtare i paraprin korrupsionit shtetëror, dhe jo e anasjella.

Kombin dhe shtetin na e ka dobësuar ndarja dhe tradhtia fillimisht, dhe jo korrupsioni. Aktualisht, qeveria e Kosovës po përsërit paturpshëm historitë e tradhtive kombëtare të Shqipërisë. Këtë vit janë dëbuar nga Kosova 5 shqiptarë të angazhuar me protestat popullore në Prishtinë. Po forcohet gjithnjë e më shumë kufiri me Shqipërinë, ngjashëm me qasjen Enveriste, për të mos i lënë shqiptarët të bashkohen politikisht në protesta të përbashkëta përtej kufijve.

Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës po i fal territor Malit të Zi 82 herë më shumë se ç’bëri mbreti me Shën Naumin. Një komb i ndarë në disa shtete shtypëse. Nga ana tjetër, protesta në Tiranë tregon se Republika e Shqipërisë nuk duhet t’i shikojë shqiptarët të lënë jashtë kufirit si sfungjer apo amortizatorë të marrëdhënieve me fqinjët tanë. Republika e Shqipërisë vazhdon të sillet si qendra e projekteve ndërkombëtare me shqiptarët, dhe jo si shtysa historike për integrim në një shtet.

Në qoftë se në Luftën e UÇK-së, Republika e Shqipërisë, e dalë nga trazirat e 97-ës, tregoi që, në rast lufte, nuk është në pozicione sulmi, sot, me faljen Malit të Zi të territorit kombëtar, humbjen e pikave strategjike ushtarake në këtë zonë, zmbrapsjen e kufirit dhe humbjen e burimeve natyrore, institucionet shtetërore dhe qeverisja në Shqipëri, po tregojnë se as në pozicione mbrojtëse nuk jemi.

As në pozita sulmuese, as edhe në mbrojtëse, ky është një shtet të cilit i mungon subjekti, ndërsa subjektin e kemi pa shtet. Shqiptarët nuk kanë marrëdhënie me shtetet në të cilat jetojnë. Detyra e një populli është të vetëvendosë marrëdhënie me institucionet e tij shtetërore. Tubimi i nesërm para ambasadës së Kosovës nuk do të kishte qenë i nevojshëm nëse qeveria e Shqipërisë dhe institucionet përfaqësuese të Republikës do të kishin mbajtur një qëndrim kundër kësaj marrëveshjeje demarkacioni.

Barazia është e jona vetëm për aq kohë sa ka histori angazhimi për bashkim dhe liri. Saktësisht ata që thonë se Kosova është jashtë kontekstit të Shqipërisë, janë në fakt jashtë kontekstit të historisë. Kombi është premtimi fillestar për një shtet i cili na përket ne ta zhvillojmë dhe urdhërojmë, për një shtet i cili na përfshin dhe në të cilin përfshihemi. Për aq sa popullit të Kosovës t’i mohohet politiciteti i tij si popull shqiptar, lëvizja është popullore shqiptare.

Aktivizmi i disave është ftesë për të gjithë. Një popull që nuk është i vetëdijshëm për kufijtë e tij është peng i këtyre kufijve të cilët as nuk i njeh si kufijtë e tij dhe të cilët as nuk e njohin atë si popull. Le të bashkohemi me ditën e hënë, me 29 gusht, në datëlindjen e Abdyl Frashërit dhe te lulishtja “Vëllezërit Frashëri”, para ambasadës së Kosovës, për ta lënë mendimin dhe zemrën që ta bëjnë trupin të mbajë qëndrimin e duhur.

(Autori është përfaqësues i shoqërisë civile dhe organizator i protestave kundër demarkacionit)


Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com