Balil Elezaj, është 78-vjeçari i cili u është bashkuar artistëve në betejën për Teatrin Kombëtar. Nga teknik miniere, sot pensionist dashuria e tij për artin mbetet e pakrahasueshme dhe e veçantë nga të tjerat. Në një bisedë me Report Tv, Elezaj me shpirt artisti falenderon artistët për çfarë kanë dhënë në jetën kulturore shqiptare si dhe kujton rolin e tij të parë teatral në periudhën e komunizmit... 

“Kam ardhur këtu të solidarizohem me artistët e kombit tonë, me artistët që kontribojnë në Teatrin Kombëtar për arsye të një gojëdhënë që po flitet në media, që ky teatër do të zhvendoset më tutje tek Turbina, kanë ndërtuar një pjesë aty. Tani këta artista, që te Robert Ndrenika i nderuari, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Bujar Asqeriu, një fshatarin tim Nerital Licaj e shumë e shumë të tjerë që japin kontribut me sakrifica, me një rrogë qesharake. Unë vetë si person, jam mini artist sepse kam lozur në kohën e atij merhunit. Kam lozur në minierën e Selenicës. Kam kontribuar edhe në Teatër me një farë Kondo Kondi, si regjisor kemi vënë shfaqjen Kurbeti”, tregon Elezaj. 

Para sa kohësh? 
“Para 48 vitesh, po kemi lënë nam me atë teatër. Unë bashkë me gruan, fëmijën e kisha 3 muajsh e lashë te vjehrra dhe kontribonim atje. Po teatrin e kam në gjak, e dua shumë... Por ne kemi artistë dhe sportistë të shkëlqyer dhe nuk i vlerësojmë, po i vlerëson bota që kanë vajtur tani në perëndim dhe që po na nderojnë. Dhe më vjen keq për këta tani që të nëpërkëmben kështu e njëfarë drejtor i komanduar i Edi Ramës, një Çili që ç’të të them unë dikur hiqej si demokrat tani është komunist i regjur. Edhe tallet e më këta, që i tha një aktoreje sa të jem unë këtu ti s’ke për të luajtur se je kundra meje. 

Njeriu ka të drejtë të flasë mendime të kundërta, ndaj gëzuam që erdhëm në demokraci se po të ishte ashtu rrinim me atë merhumin prapë, siç ndenjëm 48 vjet na u kyç goja... Po këta nuk të lenë të flasësh, s'të lënë të thuash të drejtën. Edhe popullin e thjeshtë duhet ta pyesin “Si është ky teatër?”. Prandaj kam ardhur dhe dua t’i falenderoj nismëtarët që kanë ndërmarrë këtë nismë, sidomos Robert Ndrenikën dhe këta që përmenda. I falenderoj jashtë mase”, shprehet 78 vjeçari për Report Tv.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com