Për aktorin e njohur Lulzim Zeqja, ndërtimi i një Teatri të ri Kombëtar dinjitoz për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë është një gjë shumë e mirë. Zeqja thekson se ka ardhur koha për një ndërtesë me parametra bashkëkohore dhe se kjo është një kërkesë dhe dëshirë e të gjithë aktorëve e regjisorëve për kushte më të mira pune.
Është gjë shumë e mirë që do të kemi një Teatër Kombëtar dinjitoz për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Unë besoj se ka ardhur koha për një ndërtesë me parametra bashkëkohore. Madje, që të gjithë aktorët e regjisorët duan kushte më të mira pune. Por, edhe publiku do të ndihet më komod në një sallë dinjitoze. Gjithashtu, jam i sigurt që edhe debati që është hapur mbi çështjen e Teatrit është pozitiv, pasi ka filluar të shfaqë të gjitha problematikat që shqetësojnë komunitetin artistik. Në fakt, është hera e parë që teatri merr një vëmendje kaq të lartë në shoqëri. Teatri i ri, si çdo sallë e re për teatrin, do jetë një frymëzim për të gjithë; aktorët, regjisorët, por edhe për çdo djalë o vajzë të re që aspiron të bëhet aktor. Unë e pashë Turbinën dhe besoj se është një nga sallat më të mira alternative që ka Tirana sot. Besoj se do të jetë një vend, i cili do të sjellë produkt më cilësor dhe do të afrojë një publik të ri në moshë.
Aktori Lulzim Zeqja
Lulzim Zeqja ka interpretuar së fundmi në rolin e Baburit, një nga shfaqjet më të mira të teatrit këto vite “Rojet e Taxhit”, e më pas rolin e Henrit në dramën “Frankeshtajn” me regji nga Ilir Bokshi.