Aktori e njëkohësisht Ambasadori i Vullnetit të Mirë për UNICEF, Orlando Bloom, ka bërë thirrje për të mbrojtur fëmijët e atyre dhjetëra mijëra refugjatëve që kanë zbarkuar në Europë.

Gjatë vizitës së tij në një kamp refugjatësh në Gevgelija, në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Bloom dëgjoi historinë e shumë fëmijëve, shqetësimet dhe shpresat e tyre për të ardhmen.

“Këta fëmijë kanë qenë në bordin e udhëtimeve më të rrezikshme dhe vdekjeprurëse të lëvizjes së emigrantëve në botë. kam folur me fëmijë që kanë përjetuar tmerre, shpesh në kushte klimaterike ekstreme.”- u shpreh aktori në një intervistë. “Ata kanë kaluar nga një polic në tjetrin, kanë kaluar disa pika kufitare dhe kanë rreziqe të shumta përpara. Edhe nëse mbërrijnë të sigurt në destinacionin final, ata ende i druhen një të ardhmeje të paqartë. Duhet t’i mbrojmë dhe t’i mbështesim”,- shtoi ai.

Shumë prej këtyre fëmijëve janë arratisur nga dhuna në Siri, Afganistan dhe Irak. Falë UNICEF dhe shërbimeve të këtij fondacioni, fëmijët tani kanë një vend të sigurt për të qëndruar, për të luajtur dhe për të mbajtur të mirat materiale si ushqimet dhe veshjet, duke respektuar të gjitha kriteret higjienike.

Mes të tjerash, Orlando njohu 17-vjeçarin Tarek nga Siria, i cili rrëfeu terrorin që ka përjetuar gjatë udhëtimit me varkë nga Turqia në Greqi dhe dhimbjen që ka ndjerë kur ka lënë pas familjen e tij në Damascus, Siri.

Si shumë fëmijë të tjerë që kanë udhëtuar drejt Europës të pashoqëruar, ai po qëndron me një familje siriane që e njohu gjatë rrugës, pasi u shpëtoi vajzën 10-vjeçare nga mbytja.

Tareku vlerësoi ndihmën e marrë nga Bloom dhe stafi i UNICEF, por shprehu gjithashtu edhe frikën e dëshpërimin që ndjente, duke mos ditur çfarë i ka rezervuar e ardhmja.

Përfaqësues të UNICEF, theksuan se situate në pikat kufitare nuk është përmirësuar  dhe një numër shumë i madh njerëzish, përfshirë këtu fëmijë dhe gra, nuk janë regjistruar, gjë që rrit shqetësimin se ata që kanë nevojë mund të mos marrin dot shërbimet e nevojshme.

Rreth 100,000 njerëz, një e treta e të cilëve janë gra e fëmijë, janë regjistruar në kufirin e Gevgelija që nga Qershori i këtij viti. Ndërsa kriza vazhdon të rritet, UNICEF deklaron se plot 320,000 gra dhe fëmijë që emigrojnë drejt Europës, do të kenë nevojë për ndihmë dhe përkujdesje në gjashtë muajt e ardhshëm.
orlando bloom
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)