Në ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombetar të Ushqimit, Afrim Bakaj, u bëri apel qytetarëve për të konsumuar ushqime të sigurta dhe të kontrolluara. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit si institucioni që garanton me ligj, sigurinë ushqimore u bën thirrje të gjithë qytetarëve që përveçse të tregojnë kujdes në ushqimet që konsumojnë, të denoncojnë çdo rast abuzimi që hasin.
 
Gjatë një konference për shtyp Bakaj tha se, AKU ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të garantuar sigurinë ushqimore në vend. ‘Inspektorët tanë janë në cdo cep të territorit, duke filluar që nga bizneset e mëdha , në PIK , në markete e deri në dyqanet më të vogla në zonat më të thella”, u shpreh ai.
Bakaj  garantoi se ushqimi që konsumojnë shqiptarët është i sigurt , duke kontrolluar  në mënyrë rigoroze që nga origjina deri tek konsumatori. Më tej ai shtoi se  “cdo shkelje e ligjit nga ana e bizneseve ushqimore, si për falsifikim të etiketave ,  ashtu edhe për mungesë kushtesh higjieno –sanitare , do të gjobiten  pa tolerancë”.
“ Gjobat për bizneset që shkelin ligjin, variojnë nga 300-500 mijë lekë , dhe deri tani janë bllokuar 576 subjekte në të gjithë vendin”, tha Bakaj.
 
Në ditën ndërkombëtare të Shëndetit , Drejtori i AKU-së, i ka bërë thirrje  qytetarëve që të denoncojnë në numrin e gjelbërt 08007575  për cdo problem që të kenë në lidhje me ushqimet, duke i siguruar qytetarët, që për të gjitha denoncimet e tyre, merren masa direkte dhe brenda 24 orëve inpektorët tanë janë në vendin , nga ku vjen denoncimi, për të kontrolluar dhe marrë masat e duhura konform ligjit.
 
I pranishëm në Konferencën për shtyp të  organizuar nga AKU-ja ishte edhe Kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Islam Cani  i cili e vuri theksin në faktin se konsumatorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për ushqimet që konsumojnë, duke u bërë thirrje që ushqimet ti blejnë nëpër markete dhe dyqane të cilat janë të kontrolluara.
Cani ndër të tjera theksoi se: ‘denoncimet e qytetarëve janë ulur , në krahasim me një vit më parë, kjo edhe falë punës këmbëngulëse të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të qënë pranë problemeve ku konsumatorët kanë me ushqimet në të gjithë Shqipërinë”.
 
Duke e çmuar si shumë të domosdoshëm dhe të vyer bashkëpunimin me konsumatorin, mediat dhe shoqërinë civile, AKU kërkon që ata të bëhen palë kundër biznesve apo individëve që falsifikojnë, abuzojnë dhe vënë në rrezik jetën e qyyetarëve shqiptarë, duke cënuar sigurinë ushqimore.
AKU është e vendosur, që çdo denoncim apo indicie që bëhet në adresën e këtij institucioni, ta ndjekë, duke zbatuar në çdo moment legjislacionin në fuqi.
 
Gjithashtu, AKU njofton, se për çdo rast abuzimi apo problemi me ushqimet, në dispozicion të konsumatorit është numri jeshil 0800 75 75, 24 orë, si dhe adresa e emailit, [email protected] dhe menjëherë, ky insitucion do të marrë masat e nevojshme, siç ka ndodhur edhe deri tani.
 
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i vendosur në garantimin e sigurisë ushqimore, por puna jonë bëhet më efikase me bashkëpunimin e të gjithë institucioneve shtetërore, si dhe me ndihmen e vyer të konsumatorit e pse jo, edhe të mediave.


Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)