Në kuadër të procesit të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti zhvilloi një vizitë zyrtare në Autoritetin Holandez për Sigurinë e Ushqimeve dhe Produkteve të Konsumit.
Në këtë vizitë, ajo shoqërohej nga Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko. Vëmendje e veçantë gjatë diskutimeve iu kushtua inovacionit, dixhitalizimit dhe përdorimit inteligjent të të dhënave, si instrumente të rëndësishme për integrimin dhe optimizimin e proceseve të punës.
Gjatë diskutimeve, Gjylameti u ndal në çështje me rëndësi për forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri, duke përfshirë procedurat për ngritjen dhe funksionimin e laboratorëve, menaxhimin e Pikave të Inspektimit Kufitar, përdorimin e sistemit RASFF, si dhe praktikat e kontrolleve zyrtare, auditimeve dhe marrjes së mostrave.
Po ashtu, u prezantua procesi i kategorizimit të Operatorëve të Biznesit Ushqimor me origjinë shtazore (OBU), si një instrument orientues që mbështet industrinë në përmirësimin e vazhdueshëm dhe përafrimin me standardet evropiane. Në fokus ishte gjithashtu edhe sistemi i pikëzimit për vlerësimin e OBU-ve, i cili synon rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe standardeve të sigurisë ushqimore.
Sipas AKU-së, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt shkëmbimit të përvojave më të mira evropiane dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe garantimit të sigurisë ushqimore.
Komente







