TIRANË -  Ish-kreu i Inspektoriatit Ndërtimorë Kombëtar Zyhdi Dajti rrezikon 3 vite e 6 muaj burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Për të prokuroria në leximin e pretencës kërkoi dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 3 vite.

Sipas akuzës Dajti së bashku me 9 vartësit e tij në kohën kur drejtonte INUK (sot IMKT) ka bllokuar padrejtësisht punimet në Bulevardin e ri të Tiranës si dhe ka shembur një objekt në Rrugën e Elbasanit i cili ishte me leje.

I pranishëm në seancën e pretencës ndaj tij, Dajti kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet e mbrojtjes ndërsa gjykatësi Artan Gjermeni caktoi datën 15 shtator për shpalljen e vendimit.

Ky proces në Gjykatën Penale të Tiranës po zhvillohet me gjykim të shkurtuar. Prokuroria kërkoi masa më të buta dënimi për vartësit e Dajtit duke përcaktuar dhe pezull të burgimit me shërbimin e provës.

Zyhdi Dajti aktualisht mban postin e Drejtorit të Sigurisë Portuale në Durrës, ndërsa pritet që në shtator drejtësia të shprehet për të caktuar nëse ai ka konsumuar apo jo vepër penale në kohën që drejtonte INUK dhe nisi operacionet e prishjeve me tritol për objektet pa leje. Prishja me dinamit e pallatit ku jetonte edhe vjehrri i kreut të opozitës Basha ishte edhe më i bujshmi. 
 
Dajti u prezantua në tetor të 2013 si kreu i ri i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, por një pjesë e mirë e opinionit publik, e mban mend në ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011, ku gjatë protestës së Partisë Socialiste u vranë 4 persona. Dajti ishte ndër ata persona që pas vrasjes së Ziver Veizit, bënte thirrje protestuesve për qetësi.

Kallëzimi nga klani i “Jonit”
Blloku i banimit për të cilën Zyhdi Dajti është kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës, i përket të njëjtit “klan” ndërtuesish që financuan dhe ndërtuan kompleksion “Jon” në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë. Një dokument i zbuluar pak kohë më parë nga gazeta “Shqiptarja.com” dhe fotografitë nga kantieri i ndërtimit tregohet qartë se shtetasi Gerti Çalliku, administrator i “2G Shpk” është personi që ka marrë lejën nga bashkia e Tiranës për ndërtimin e objektin 9 katësh në rrugën e Elbasanit, shumë pranë apartamentit ku banon sot ish-kryeministri Sali Berisha.

Biznesmeni Çalliku njëherësh është dhe personi që administron kompaninë “GBA-Studio”, e cila ka kryer punimet në kompleksin “Jon” të rrëzuar me tritol në 14 dhjetor 2014. Çalliku njihet që ka lidhje të forta me shtetasin Xhuvi Sharxhi, ky i fundit bashkëpronar në kompleksion “Jon” me Xhaver Isufin, vjerrin e kreut të PD Lulzim Basha. Sipas prokurorisë së Tiranës, donator në ndërtimin e këtij pallati që ndodhet në qëndër të Tiranës, është dhe shtetasi Xhuvi Sharxhi, i cili sipas hetuesve është njëri nga kallëzuesit e Zyhdi Dajtit.

Pezullimi i punimeve
Ndërtimet për hapjen e gropës ku është ndërtuar pallati 9 katësh kryesisht janë bërë gjatë natës. Por prej disa kohësh këto punime ishin pezulluar me vendim të kreut të INUK Zyhdi Dajti, vendim për të  cilin ai është kallëzuar dhe proceduar penalisht për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Financuesit e këtij objekti mësohet se i janë drejtuar gjykatës Administrative ku kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të INUK, kërkesë kjo që është miratuar nga gjykata dhe më pas kanë vijuar punimet për ndërtimin e pallatit. Por edhe pas kësaj Zyhdi Dajti, ka dërguar 8 inspektorët e tij duke vendosur të pezullojnë punimet për ndërtimin e pallatit. Në këto kushte, Xhuvi Sharxhi dhe Gerti Çalliku, kanë kallëzuar penalisht Zyhdi Dajtin dhe 8 inspektorët e tij.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)