Garë sportive, ligjore, nervash dhe deklaratash. Barcelona dhe Real Madridi në Spanjë janë përfshirë së fundmi në një debat të madh, kjo nisur pas rastit "Negreira" dhe përfshirjes së katalanasve në pagesën për ish-kreun e Komiteteti të Arbirave në Spanjë. Te Barcelona janë të sigurt se pagesat për kompaninë e ish-arbitrit nuk kanë lidhje me rezultatet në fushë, me Real Madridin dhe klubet e tjera që janë ankuar në UEFA për këtë rast.
Dje, kreu i Barcelonës, Joan Laporta i cilësoi si cinike akuzat e Real Madridit, duke thënë se ata janë ekipi që fituan në diktaturë dhe se për 70 vite kontrolluan sistemin e arbitrave.
Kaq është dashur që "Galaktikët" t'i përgjigjen këtyre akuzave, duke thënë se nën regjimin spanjoll Barça fitoi tetë tituj. Sipas Realit, “katalanasit fituan tetë kampionate gjatë regjimit, ndërsa lojtarët e Realit u ndaluan, u internuan dhe u vranë dhe ekipi u shpërbë”. Akuza të forta që do të rindezin tensionet mes dy rivalëve të përjetshëm.