KOSOVE- BE nxit autoritetet shqiptare për hetime sa më të shpejta për zbardhjen e akuzave të Dik Marti për trafik organesh gjatë kohës së Luftës në Kosovë.

E përditshmja kosovare “Zëri” shkruan sot misioni i BE në Kosove EULEX shprehet se projektligji i miratuar nga qeveria shqiptare do të jetë ndihmesë e madhe për zbardhjen e pretendimeve të Dik Martit .

I pyetur nga “Zëri” zëdhënësi i Task Forcës hetimore, Juri Las shprehet se “Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare për të finalizuar marrëveshjet ligjore për bashkëpunim. Mirëpresim vendimin e qeverisë shqiptare dhe presim me padurim që ky ligj të miratohet në Parlamentin e Shqipërisë” shprehet Las.

Qeveria hartoi ligjin e posaçëm për të lejuar EULEX të zhvillojë hetimet për të gjitha akuzat e ngritura nga Dik Marti. Drafti sot ndodhet në Komisionin e Ligjeve për t'i dhënë dorën e fundit. Pritet që ky ligj të kalojë me 84 vota në seancën e ditës së enjte, pasi në 14 maj 2012 do të mbahet takimi i radhës i Këshillit të Europës. Kalimi i këtij drafti, do të raportohet si një hap i rëndësishëm në këtë takim.
(ns/sg/shqiptarja.com)