Paraditen e së hënës, komisioni kuvendor i ligjeve ka nisur diskutimet për projekt/ligjin, i cili sipas ministrit të drejtësisë, Eduard Halimi është kërkuar nga EULEX pas akuzave të Dick Marty në Parlamentin Europian.
Deputetët socialistë kanë shprehur parimisht aprovimin e tyre për draftin, por kanë këkruar kohë për ta studiuar atë, e për të analizuar detajet e projekt/ligjit.
“Sensitiviteti i akuzave të pafaktuara tërësisht në atë raport kërkon një hetim të plotë dhe të hollësishëm, qoftë për transplantin e organeve që përbën formën më të egër dhe më të shëmtuar të krimit kundër njerëzimit, ku pretendohet se paska ekzistuar në Fushë Krujë një spital dhe kjo do hetohet. Jemi shumë të interesuar të hetohet me seriozitetin më absolut, ndaj dhe ne i propozojmë parlamentit një ligj të veçantë për ti njohur çdo autoritet që ka nevojë ky grup hetimor për të bërë hetimin më të plotë në Republikën e Shqipërisë”, tha Xhafaj.
Fatmir Xhafaj: Në p/ligj thuhet se vendet e hetimit nga Eulex përcaktohen përgjithmonë. Kjo do të thotë se Eulex do të vendoset këtu?
Eduard Halimi: Ka tre modele që EULEX heton me task force. Hetime të përbashkëta bëhen në të gjithë botën, kemi edhe me Italinë për luftën ndaj krimit të organizuar. Përvec akuzave të rënda për Shqipërinë është konsideruar si ligj i rëndësishëm. EULEX do të hetojë cdo akuzë, ndaj ne se kemi specifikuar në titull të ligjit.
Vasilika Hysi: A e keni konsultuar me Konventat për të drejtat e njeriut? Për sa kohë kemi Kushtetutë apo Kod Penal, pse duhet të bëjmë një ligj të veçantë për këtë hetim?
Halimi: Është në përputhje me të gjitha konventat. E ka kërkuar Eulex.
Xhafaj: Duam të pajtohet mirë më Kodin penal. E kalojmë në parim dhe e diskutojmë një ditë tjetër.
Pas kërkesës së të majtëve, komisioni ka shtyrë për nesër diskutimin nen për nen të draftit ligjor të qeverisë, për hetimin e akuzave të Marty për trafik organesh në Shqipëri. Ky hetim do të bëhet nga një grup prokurorësh të BE, të asistuar nga Task - Force e përbashkët Shqipëri – BE.
(aq/shqiptarja.com)