TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave nga Partia Demokratike se Policia e Shtetit ka përgjuar Lulzim Bashën. Rama ironizon duke e cilësuar si shpikje nga babalepartitë e babaleopozitës për babalekryetarin.

Ai e mbyll reagimin e tij duke u shprehur se shumë shpejt do të dalë e vërteta për përgjimin që PD publikoi për Xhafën, ndërsa deri atëherë, kryeministri thotë se duhet të qeshim me babalepërgjimin e shpikur sot për Lulëzimin.

Babalepartitë e babaleopozitës kanë shpikur sot një përgjim të Policisë së Shtetit për babalekryetarin e Partisë Babalokratike Shpejt do të dalë e vërteta e babalepërgjimit të shpikur dje për ministrin e ndërkohë le të qeshim me babalepërgjimin e shpikur sot për Lulëzimin

Edi Rama

N/kryetari i PD, Edmond Spaho sot përmes një deklarate për mediat denoncoi se lideri i opozitës, Lulzim Basha po përgjohet nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Vetë kryetari i PD ende nuk është prononcuar, ndërsa paraditen e sotme zhvilloi një mbledhje me disa nga deputetët.

Pas mbledhjes në selinë e PD, n/kryetari Paloka, Noka dhe Alibeaj ishin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ndërsa policia e shtetit ka mohuar akuzat duke i rrëzuar. "Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore" , thotë policia.

Para dy javësh Partia Demokratike publikoi një përgjim misterioz ku pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj vijonte trafikun e drogës në Shqipëri, ndërsa në Itali ishte dënuar me 7 vite burg. E ndërsa përgjimi është dërguar për ekspertizë në Itali, dëshmitari ‘X’ protagonist në përgjim Albert Veliu i njohur edhe si ‘Babalja’ kërkoi azil në Kosovë.