Akuzat për barnat, Ekonomi:PD i ka 
 borxh shqiptarëve 280 mln dollarë

Akuzat për barnat, Ekonomi:PD i ka <br /> borxh shqiptarëve 280 mln dollarë
Pas akuzave të Partisë Demokratike mbi projektligjin e barnave që po diskutohet në komisionet parlamentare, ka reaguar në një dalje për mediat zv, ministrja e shëndetësisë Milva Ekonomi. Sipas saj, projektligji në fjalë nuk cënon sigurinë e barnave, por ndryshimet e propozuara ligjore bëhen për të vendosur zbatimin e plotë të detyrimeve që Shqipëria ka nga marrëveshje ndërkombëtare, dhe konkretisht, nga marrëveshja e CEFTA-s.

"Në bazë të marrëveshjes së CEFTA-s, vendet nënshkruese duhet të mënjanojnë çdo lloj barriere që pengon qarkullimin e mallrave në vendet përkatëse. Shpjegojmë për 
opinionin publik se në Shqipëri kanë qarkulluar deri vjet rreth 300 barna me origjinë nga vendet e Ballkanit. Dhe kanë qarkulluar prej vitesh. Dispozita e propozuar përcakton se në Shqipëri lejohen të qarkullojnë barna me origjinë nga vendet e Ballkanit me kushtin që të jenë të REGJISTRUARA dhe të QARKULLOJNË në vendin e origjinës", shpjegon Ekonomi. 

Sipas saj qeveria e ka mbajtur premtimin se çmimet e barnave në Shqipëri, nuk do të ishin më të larta se sa në vendin e tyre të prodhimit. “Sot, çdo pacient që blen një bar në farmaci e kupton se çmimet janë më të lira, rreth 30% më pak se sa në kohën kur në pushtet ishte qeveria e Partisë Demokratike. Jo vetëm që ka perënduar koha kur barnat bliheshin shumë lirë jashtë dhe tregtoheshin shumëfish më shtrenjtë në vendin tonë, por, për të njëjtat barna dhe për të njëjtën sasi, të vendosura në treg në vitin 2013, sot kushtojnë 70 milion dollarë më pak. Qeverisja e PD-së, që nga viti 2010 ku rezulton se ka pasur dijeni të plotë për këtë situatë, i ka borxh shqiptarëve 280 milion dollarë”, tha zv,ministrja.

Ja deklarata e plotë e zv.ministres së shëndetësisë Milva Ekonomi

Është tashmë e qartë tashmë se lobet e farmaceutikës që e kanë zënë për fyti Mazhorancën e djeshme dhe Opozitën e sotshme, duke mundësuar që deri në shtator 2013 barnat të tregtoheshin në Shqipëri shumë më shtrenjtë se sa në vendet e tyre të origjinës, janë aktivizuar rishtazi dhe aspak rastësisht, duke përbaltur arritjet e Qeverisë në sektorin e barnave dhe shërbimit farmaceutik. Dhe kjo nuk është aspak gjë e re për ne. Deri në vitin 2013, qeveria e Sali Berishës kishte vendosur monopol në fushën e farmaceutikës dhe çmimet e barnave ishin tepër të larta. Kompanitë fitonin me të padrejtë më shumë, zyrtarët e korruptuar fitonin shumë dhe e gjitha ishte në kurriz të shqiptarëve që paguanin shumë më shumë.

Në vitin 2013, Qeveria jonë premtoi se çmimet e barnave në Shqiperi nuk do të ishin më të larta se sa në vendin e tyre të prodhimit. Sot, vetëm dy vjet më pas, ky premtim është i mbajtur. Çmimet e barnave janë ulur në mënyrë të konsiderueshme dhe jo vetëm që qytetarët paguajnë më pak për barnat, por falë uljes së çmimit, spitalet furnizohen me më shumë barna dhe mungesa e tyre si në të kaluarën ndihet shumë më pak. Por ajo që ndodh çdo tetor, është se teksa prej dy vitesh kompanitë negociojnë realisht me Qeverinë dhe ofrojnë çmime të ulëta, pikërisht këtë muaj, Opozita dhe disa nga kompanitë kliente të saj, kujtohen për kërdinë që bënin së bashku deri në 2013. Dhe mendojnë se duke sulmuar Qeverinë, mund të kthehen sërish në periudhën kur ata dhe firmat farmaceutike mbushnin xhepat e tyre në kurriz të shqiptarëve. Sulmet e Partisë Demokratike janë të ulëta dhe fyejnë inteligjencën e shqiptarëve. Sot, çdo pacient që blen një bar në farmaci e kupton se çmimet janë më të lira, rreth 30% më pak se sa në kohën kur në pushtet ishte qeveria e Partisë Demokratike. Jo vetëm që ka perënduar koha kur barnat bliheshin shumë lirë jashtë dhe tregtoheshin shumëfish më shtrenjtë në vendin tonë, por, për të njëjtat barna dhe për të njëjtën sasi, të vendosura në treg në vitin 2013, sot kushtojnë 70 milion dollarë më pak. Qeverisja e PD-së, që nga viti 2010 ku rezulton se ka pasur dijeni të plotë për këtë situatë, i ka borxh shqiptarëve 280 milion dollarë.

Këto dhe shumë të tjera, janë pyetje që duhet t’i përgjigjet Partia Demokratike dhe jo ndryshimit të projektligjit të barnave që po diskutohet në komisionet parlamentare, i cili ndryshe nga sa mund të pretendohet, nuk cënon sigurinë e barnave.

Së pari, konfirmojmë se ndryshimet e propozuara ligjore bëhen për të vendosur zbatimin e plotë të detyrimeve që Shqipëria ka nga marrëveshje ndërkombëtare, dhe konkretisht, nga marrëveshja e CEFTA-s.

Dispozita e vendosur në Kuvendin e Shqipërisë në korrik të vitit 2014 për barnat me origjinë nga vendet e Ballkanit është vlerësuar se vendos barriera jotarifore për qarkullimin e barnave nga vendet e Ballkanit në Shqipëri.

Në bazë të marrëveshjes së CEFTA-s, vendet nënshkruese duhet të mënjanojnë çdo lloj barriere që pengon qarkullimin e mallrave në vendet përkatëse. Shpjegojmë për
opinionin publik se në Shqipëri kanë qarkulluar deri vjet rreth 300 barna me origjinë nga vendet e Ballkanit. Dhe kanë qarkulluar prej vitesh. Dispozita e propozuar përcakton se në Shqipëri lejohen të qarkullojnë barna me origjinë nga vendet e Ballkanit me kushtin që të jenë të REGJISTRUARA dhe të QARKULLOJNË në vendin e origjinës.

Pra, bëhet fjalë për barna të cilat qarkullojnë në vendet e Ballkanit dhe që gëzojnë të drejtën të regjistrohen në Shqipëri. Por, proçesi i regjistrimit të çdo bari përfshin edhe ata me origjinë nga vendet e Ballkanit, i cili i nënshtrohet rregullores së regjistrimit të barnave të miratuar nga Qeveria shqiptare prej disa muajsh dhe që është në përputhje me standartet e BE-së për regjistrimin dhe vendosjen e barnave në treg.

Së dyti, ashtu si dhe dje, rikonfirmojmë se në vitet 2014 dhe 2015 Ministria e Shëndetësisë ka prokuruar me tender të hapur elektronik për nevoja të sistemit shëndetësor barna dhe materiale mjekësore me vlerë 3,1 miliardë lekë.

Së treti, konfirmojmë se në dy vite ka një ndryshim rrënjësor të kontrollit të tregut të barnave. Nuk ka më regjistrime brenda 1 dite pune. Nuk ka më bllokim të regjistrimit për të kufizuar konkurrencën dhe mbajtuar çmime monopol. Nëse në 2013 janë bërë rreth 130 kontrolle të cilisisë së barnave, në 2014 dhe 2015 janë bërë tre herë më shumë.
  
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane