Kryeministri Edi Rama po vijon replikat në distancë me gazetarin Blendi Feviu, pas akuzave të këtij të fundit për udhëtimet e ministrave. Kryeministri i thotë gazetarit se sërish nuk ka nxjerrë fakte, por “vjen vërdallë me muhabete kafeneje, duke përmendur si në jerm dy a tre raste sporadike, për të cilat përsëri s’ka asnjë provë se janë të lidhura me udhëtime private të ministrave në fundjavë”.

Rama ka ndarë sërish një foto të Fevziut me Inteligjencë Artificiale, ndërsa shkruan se ai nuk i jep llogari publikut të vet për një gënjeshtër me shtatë bishta.

Sipas kreut të qeverisë, Fevziu flet për standarde, por ai nuk respekton debatin në emisionin e tij, që kthehet kacafytje për të marrë fjalën, në një sfond britmash të pandërprera, ku nuk e merr vesh i pari të dytin.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

"Fevziu reagoi prapë duke e pohuar përsëri faktin që ka fabrikuar një akuzë, më shqip një shpifje, për të cilën as ka çfarë thotë e vjen vërdallë me muhabete kafeneje, duke përmendur si në jerm dy a tre raste sporadike, për të cilat përsëri s’ka asnjë provë se janë të lidhura me udhëtime private të ministrave në fundjavë, e duke i ikur përsëri me një turravrap konfuz të vetmes gjë që duhet të bënte në këtë rast: Ndjesës ndaj shikuesve të tij.

Ndryshe nga më parë, Fevziu deklaron se nuk do përgjigjet më për këtë çështje. Normal, e kupton edhe vetë që s’ka si ia bën ndryshe, përderisa nuk mendon se shikuesit e tij meritojnë aq respekt sa ai t’u kërkojë ndjesë.

Pra Fevziu kërkon llogari edhe për gjëra që nuk i di ose që nganjëherë edhe i shpik, ndërkohë që fton rregullisht në sallonin e tij njerëz të armatosur me gjysëm të vërteta, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Por ama ai refuzon t’i japë llogari publikut të vet, një herë të vetme, për një gënjeshtër me shtatë bishta dhe kapet si i mbyturi pas fijes së barit tek video-inspektimet e anëtarëve të qeverisë, për të cilat thotë se janë praktikë unike në botë, jashtë çdo standardi demokratik.

Dakord, atëherë po kaloj tek standartet dhe po i them Blendit, i cili padyshim e ka parë botën shumë më tepër se unë, që të na tregojë një rast të vetëm në botë ku debatet politike janë kacafytje për të marrë fjalën, në një sfond britmash të pandërprera, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, e ku mikpritësi me një shkop në dorë nxit palët të zihen, pa vënë ose pa dashur të vendosë as qetësi, as rregulla në debat, as kufi etikë në komunikim, e pa kultivuar as sensin më të vakët të drejtësisë në trajtimin e të ftuarve, të cilëve u ndërpritet fjala rregullisht pa bërë dot 3 fjali bashkë!

Pra le të themi se po, e vërtetë, nuk është normale që anëtarët e qeverisë t’i shmangin daljet në sallonet mediatike (në fakt, në rastin tonë ne nuk shmangim daljet me gazetarë, po vetëm daljet me udhëheqësit barisalifallistë), por nëse Fevziu nuk e nis nga vetja, bashkë me sivëllezërit e simotrat e 700 tenxhereve, e të vendosi standartet demokratike në sallonin e tij të madh, atëherë s’ka si t’i kërkojë llogari ministrave pse nuk hidhen me kokë në tenxheren e Opinionit a në cilëndo tenxhere, ku bubullon e gërrgëron molla e përhershme e sherrit dhe ku shikuesit në vend se të informohen, abuzohen dhe helmohen me politikën.", shkruan Rama.