Akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020! Gjykata e Lartë vendos të shqyrtojë pretendimet e Trump për imunitet presidencial

Akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020! Gjykata e Lartë vendos të shqyrtojë pretendimet e Trump për imunitet presidencial

Donald Trump

Gjykata e Lartë ra dakord të mërkurën që të marrë në shqyrtim çështjen nëse ish Presidenti Trump mund të ndiqet penalisht lidhur me akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020. Gjykata tha se një vendim mund të merret së shpejti.

Vendimi parashikon ngrirjen e procesit të një gjyqi të përqendruar në përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ku fitoi demokrati Joe Biden. Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet në fund të prillit ndërsa pritet që vendimi të merret deri në fund të qershorit.

Në një deklaratë të panënshkruar të Gjykatës së Lartë thuhet se organi më i lartë juridik në Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojë se, “nëse, dhe në qoftë se po, deri në çfarë mase gëzon imunitet presidencial nga ndjekja penale një ish president, për veprime që supozohet se përfshinin akte zyrtare gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë”.

Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin se presidentët gëzojnë imunitet nga ndjekja civile lidhur me vendimet e marra gjatë kohës në detyrë. Avokatët e Trump kanë argumentuar për muaj të tërë se kjo mbrojtje duhet të shtrihet edhe për rastet e ndjekjeve penale.

Gjykatat më të ulëta kanë hedhur poshtë pretendimet e Trump se ish presidentët gëzojnë imunitet absolut për veprimet që merren dhe kanë të bëjnë me postin zyrtar.

Në fillim të shkurtit, një gjykatë apeli në kryeqytetin amerikan vendosi se gjyqtarja Tanya Chutkan, e cila do të drejtojë gjyqin për ndërhyrje në zgjedhje, mori një vendim të drejtë për vazhdimin e çështjes dhe se Trump mund të ndiqet penalisht për veprime të marra gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë dhe në prag të 6 janarit të vitit 2021, kur një turmë mbështetësish të Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit.

Ky rast është i ndarë nga çështja tjetër që po shqyrton Gjykata e Lartë lidhur me apelin e Trump që emri i tij të përfshihet në fletën e votimeve të nëntorit për president, pavarësisht përpjekjeve për ta përjashtuar atë lidhur me veprimet e tij pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020.

Gjatë paraqitjes së argumenteve më 8 shkurt, gjykata dukej se kishte gjasa të mbante anën e Trump. Vendimi mund të pritet së shpejti.

Në muajin prill, Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet e një prej më shumë se 1200 individëve të akuzuar për trazirat në ndërtesën e Kongresit në janar të vitit 2021. Rasti mund të çojë në hedhjen poshtë të një akuze që prokurorët kanë ngritur kundër më shumë se 300 individëve, përfshirë Trump.

Çështja për ndërhyrje në zgjedhje, që po ndiqet nga prokurori i posaçëm Jack Smith, është një nga katër rastet me të cilat përballet Trump ndërsa kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë.

Gjyqi në Nju Jork, nën akuzat se ka paguar aktoren e filmave pornografikë Stormy Danaiels, për të siguruar heshtjen e saj, është planifikuar të fillojë më 25 mars.

Ndaj Trump është ngritur padi edhe në Florida, nën akuzat federale se ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara në rezidencën e tij Mar-a-Lago, një rast po ashtu që po hetohet nga Smith. Gjykimi i çështjes pritet të fillojë në muajin maj.

Trump është paditur gjithashtu në shtetin e Xhorxhias nën akuza për manipulime me qëllim përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në atë shtet. Ai i ka hedhur poshtë akuzat./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Meta: Merrni shembull nga Vasil Laçi dhe Vojo Kushi! Italianët i duam, por si pushtues nuk i durojmë

Meta: Merrni shembull nga Vasil Laçi dhe Vojo Kushi! Italianët i duam, por si pushtues nuk i durojmë