Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet sot një tjetër çështje gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Sot dhe nesër pritet dëshmia e mundshme e një dëshmitari të mbrojtjes. Prokuroria pretendon se posedon dëshmi dhe audio-incizime.

Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm. Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar provat e Prokurorisë.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjykimin për krime lufte.

Ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshja e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS-së).