Ish-Prefekti i Kukësit, Safet Gjici ka reaguar pas akuzave nga PD, se ka përfituar miliona dollarë nga pushteti me tendera. Deputeti i PD, Ervin Salianji deklaroi se Safet Gjici, ‘është një prej qindra shërbëtorëve të pangopur të Ramës që ka përfituar nga paratë publike 25.2 milionë dollarë’. Pas akuzave, ka reaguar Gjici, i cili shprehet se që në kohën kur u emërua Prefekt i Qarkut Kukës në vitin 2014, nuk menaxhon më asnjë kompani. E ndërsa i cilëson si shpifje deklaratat, Gjici paralajmëron padi në gjykatë për Salianjin.

Me teorinë "shpif, shpif se diçka do mbetet", Salianji sot doli dhe gënjeu shqiptarët. I gënjeu, se gjoja unë paskam fituar tendera "marramendës"!!!!

Ervin, je i gabuar!

Që në kohën kur u emërova Prefekt i Qarkut Kukës, në vitin 2014, nuk menaxhoj më asnjë kompani. Kjo dihet botërisht, por ti dhe ata që të nxorën sot nuk dinë apo duan të shohin!

Kjo është e vërteta.

Lidhur me kompanitë e cituara, të sugjeroj të informohesh, pasi fjalët e tua janë të gabuara dhe të siguroj se do të hidhen poshtë dhe nga drejtësia.

Për shpifjen tënde të radhës, që në fakt është e përhershmja përpara çdo beteje elektorale, do të takohemi në Gjykatë, aty ku e vërteta do triumfojë.

Sa i përket tenderave, kompanitë që unë drejtoja dikur, kanë përfitur me konkurim të ndershëm më shumë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Kjo është lehtësisht e verifikueshme në buletinet publike. Mjafton ti shohesh!

Për "faktet" që sot paraqite, do shihemi në gjyq, pasi për këtë shpifje të radhës nuk do të ndalem!

 

Safet Gjici