Sot u zhvillua në GJKKO seanca e radhës ne gjyqit për shpifje të Adriatik Lapaj ndaj Agron Shehajt lidhur me akuzën se ka marrë 45 mijë euro nga një kompani e Çopjave. Shehaj e ka akuzuar Lapajn se ka marrë përsipër regjistrimin e një prone që kompania e Çopjave kishte blerë në Ksamil, vendim i cili është dhënë nga vjehrri Alltun Çela, kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës. 

Shehaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës. Gjatë seancës, gjykata pranoi provat e paraqitura nga të dyja palët dhe i përfshiu ato në fashikullin e çështjes. Çështja kaloi në diskutimet përfundimtare dhe gjyqtari Erjon Çela i la kohë palëve të paraqesin diskutimet dhe iu kërkoi të bëjnë përpjekje që ta zgjidhin çështjen me marrëveshje. Seanca e radhës në datë 31 tetor ora 12.00.

Ndërkohë, Lapaj gjatë seancës u shpreh se ushtron profesionin e avokatit prej vitit 2014 dhe se, edhe sikur të kishte përfaqësuar dikë me probleme me ligjin, kjo nuk do të përbënte shkelje, pasi çdo avokat ka për detyrë të mbrojë të drejtat ligjore të kujtdo, pavarësisht se për çfarë akuzohet. 

Në lidhje me akuzën se ka përfituar 45 mijë euro nga një kompani e lidhur me familjen Çopja, Lapaj e mohoi kategorikisht, duke e cilësuar si një gënjeshtër të qëllimshme, e thënë përpara gjykatës për ta dëmtuar atë personalisht dhe për të minuar figurën e tij publike. 

"Unë si avokat e ushtroj këtë profesion që në vitin 2014. Edhe nëse do kisha përfaqësuar një person që do kishte probleme me ligjin, gjithsesi kam bërë detyrën time si avokat. Në atë çështje, kanë qenë 35 trungje dhe secili trung ka patur nga një anëtar. Në lidhje me vlerën, nuk është e vërtetë. Nuk jam paguar aq sa ju thoni dhe po ju them që po gënjeni përpara gjykatës. Sa i takon deklaratës time në emision, i bëj për dy kategori, e para unë flas për interes publik dhe e dyta lidhen me profesionin tim. Për fushën e dëmeve në pune, aksidente etj dhe për çështjen e pronave. Çështjet që përfaqësoj unë jane në tarifa të lartë, sepse zgjasin me vite. Këto gjyqe komuniste pse ke marrë grua atë etj etj, nuk shkon. Në emision kryetari juaj, nxori një çështje dhe tha që këtë e ka përfaqësuar Adriatik Lapaj në Apel. Ajo çështje ka marrë formë të prerë në shkallë të parë, prandaj nuk është e vërtetë. Gjyqtari nuk mban përgjegjësi për sekretarinë gjyqsore. Në atë çështje ka patur disa palë në proces. Është thënë që unë kam bërë ndërmjetësin e një investimi strategjik, konkretisht për zonën e Krorëzëz në Sarandë. Kjo është shpifje, është thënë për të cenuar dinjitetin tim.", tha Lapaj.