Ish-tenistja numër një e botës, Simona Halep, ka kërkuar të gjykohet nga një gjykatë e pavarur pasi u akuzua dje për një shkelje të veçantë të programit antidoping (TADP) nga ITIA (Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit). 31-vjeçarja kampione në Wimbledon dhe French Open është pezulluar përkohësisht nga tetori i vitit 2022 pasi rezultoi pozitive për substancën e ndaluar roxadustat në US Open vitin e kaluar.
Tashmë ajo akuzohet nga ITIA edhe për ndryshime dhe parregullsi në “pasaportën” e saj biologjike, të cilat dolën nga vlerësimet e mëvonshme nga autoriteti zyrtar. Halep i bëri thirrje organit antidoping të tenisit që ta lejojë atë të "pastroj" emrin e saj, duke kritikuar vonesën e gjatë në seancën e dopingut.
"Jo vetëm që emri im është njollosur në mënyrën më të keqe të mundshme, por jam duke u përballur me këmbënguljen e vazhdueshme nga ITIA, për një arsye që nuk mund ta kuptoj, për të vërtetuar fajin tim, kur nuk kam menduar kurrë të marr ndonjë substancë të paligjshme”, tha atletja rumune.
Atletja ka mohuar me forcë se ka marrë me vetëdije substancën e ndaluar, duke pretenduar se ka prova që tregojnë se sasi të vogla të ilaçit për aneminë janë gjetur në sistemin e saj nga një suplement i miratuar.
“Dy herë kërkova mundësinë për t'u gjykuar nga një gjykatë e pavarur, por ITIA vazhdoi të gjente arsye për ta shtyrë. E vetmja gjë për të cilën shpresoj, në këtë pikë, është që më në fund të më jepet akses tek gjyqtarët e pavarur dhe të paanshëm në një gjykatë që do të më japë mundësinë të provoj pafajësinë time. Kam besim të plotë te drejtësia dhe pres që më në fund të jem në gjendje të paraqes rastin tim në seancën e planifikuar për në fund të majit, pas disa vonesave nga ITIA”, tha ish-numri një i botës në tenis.