Gjykata e Durrësit la në masën e sigurisë "arrest në burg" ish-drejtoreshën e Postës Durrës, Elisabeta Mataj, ndërsa ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë në "arrest shtëpie". Ato akuzohen për veprën penale "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se kanë përvetësuar 69 milionë lekë ose mbi 700 mijë euro, të destinuara për pensionet në degët e Postës në Krujë dhe Shijak.
Prokurori Gazmend Frëngu deklaroi në seancë se Postës i mungojnë 69 milionë lekë, ose mbi 700 mijë euro, të cilat kanë dalë nga thesari por nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion. Të treja punonjëset kanë dhënë deklarime kontradiktore. Arkëtarja ka deklaruar se paratë janë marrë nga ish-shefja e financës, Valbona Duni, ndërsa kjo e fundit pretendon se të gjitha paratë janë përvetësuar nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj. Kjo e fundit fajëson dy vartëset për mungesën e fondeve.
Prokurori bëri me dije se hetimet janë shtrirë edhe në aktivitetin e Elizabeta Matajt, jashtë orarit të punës. Ajo rezulton se ka frekuentuar disa kazino në Tiranë gjatë muajve prill dhe maj, duke ngritur dyshime se paratë e vjedhura i ka lënë në bixhoz. Ndërsa avokati i kundërshtoi provat dhe masën e sigurisë.
Kamerat e sigurisë së postës janë administruar në dosje, ku dokumentet vjedhja e paratë. Janë gjithsesj 11 episode ku paratë mbërrijnë nga banka në postë. Më tej arkëtarja përgatit mandatpagesat me destinacion degët e Shijakut dhe Krujës, por shefja e Financës merr thasët me para dhe i çon në zyrën e ish-drejtoreshës. Pra, paratë hynin në zyrën e saj, ndërsa në sistem rezultonin si fonde të dërguara drejt degëve të Shijakut dhe Krujës.
Në një nga episodet e dokumentuara nga kamerat e sigurisë, më 2 prill 2026, pasi në zyrën e saj u fut një thes me vlera monetare, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj shihet duke dalë pak minuta më vonë me një qese të bardhë transparente.
Skema e vjedhjes u zbulua gjatë një kontrolli të Postes Qendrore e cila bëri dhe kallëzimin në prokurori.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Report Tv ka siguruar pjesë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Durrësit, për rastin e vjedhjes së 700 mijë eurove nga filjani i Postës Shqiptare në Durrës. Për këtë rast Gjykata e Durrësit la në masën e sigurisë "arrest në burg" ish-drejtoreshën e Postës Durrës, Elisabeta Mataj, ndërsa ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë në "arrest shtëpie".
Në dosje, referuar pamjeve filmike, theksohet se në ambientet e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, lëvizjet e parave janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e Postës.
Prokuroria ka zbuluar disa raste të lëvizjes së shumave të mëdha të parave (me thaës), duke anashkaluar protokollin zyrtar
“Ora 15:39:08, drejtoresha e Filialit Posta Shqiptare Durrës, Elisabeta Mataj, largohet nga zyra me një qese të bardhë transparente me sende që nuk mund të përcaktohen”, është vetëm një nga episodet e dala nga dosja hetimore.
Pjesë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Durrësit:
Referuar pamjeve filmike të administruara nga kamerat e sigurisë në ambientet e Filialit Durrës qendër (bashkëlidhur kallëzimit), rezulton se nga ana e punonjëseve të postës lëvizjet e vlerave monetare janë kryer në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi dhe me rregulloren e brendshme të Postës Shqiptare SHA.
- Konkretisht, në datë 02.04.2026, ora 15:15:29, në Filialin e Postës Shqiptare Durrës u vunë vlerat monetare të shoqëruara nga një punonjës poste dhe nga punonjës i SHPSF "Nazeri".
Ora 15:29:12, shefja e financës Valbona Duni, në ambientet e arkës, e pranishme Paola Dana dhe ndihmës-arkëtarja, i bën me shenjë me dorë punonjësit të postës të marrë thesin me vlera monetare.
Ora 15:29:22, shefja e financës Valbona Duni, bashkë me një punonjës poste, marrin në arkë, në prani të Paola Danës, një thes me vlera monetare, porsaardhur me eskortë/shoqërim nga banka.
Ora 15:29:50, shefja e financës Valbona Duni merr thesin me vlera monetare nga punonjësi i postës dhe hyn në zyrën e saj.
Ora 15:30:05, Valbona Duni çon thesin me vlera monetare në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Ora 15:30:09, Valbona Duni hyn në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Ora 15:30:22, Valbona Duni del nga zyra e drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Ora 15:31:16, Valbona Duni nis të largohet nga puna.
Ora 15:31:31, Elisabeta Mataj e thërret Valbona Dunin dhe së bashku shkojnë në zyrën e Elisabeta Matajt.
Ora 15:33:04, nga zyra e drejtoreshës del e para Valbona Duni.
Ora 15:33:27, Valbona Duni largohet nga puna.
Ora 15:39:08, drejtoresha e Filialit Posta Shqiptare Durrës, Elisabeta Mataj, largohet nga zyra me një qese të bardhë transparente me sende që nuk mund të përcaktohen.
Datës 02.04.2026 i përket mandati i pagesës nr. 2330, vlera 5.000.000 lekë, me përshkrim për llogarinë "Lidhje të brendshme dega Shijak", i nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e Degës Shijak, e dyshuar e falsifikuar).
13:06:04, shefja e financës Valbona Duni, me thesin me vlera monetare, futet në zyrën e saj.
Datës 14.04.2026 i përket mandati i pagesës nr. 2706, vlera 10.000.000 lekë, me përshkrim për llogarinë "Lidhje të brendshme dega Krujë", i nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Valentina Guni (arkëtare e Degës Krujë, e dyshuar e falsifikuar).
- Më datë 15.04.2026, në orën 14:13, shefja e financës Valbona Duni merr një thes me lekë nga arka, e pranishme Paola Dana. Ora 14:14, Valbona Duni me thesin me vlera monetare shkon në zyrën e saj.
Datës 15.04.2026 i përket mandati i pagesës nr. 2748, vlera 10.000.000 lekë, me përshkrim për llogarinë "Lidhje të brendshme dega Krujë", i nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Valentina Guni (arkëtare e Degës Krujë, e dyshuar e falsifikuar).
- Më datë 20.04.2026, në orën 13:39, ndihmës-arkëtarja, në prani të arkëtares Paola Dana, i jep shefes së financës Valbona Duni rreth 10 fasha me prerje kartëmonedhash 5.000 të reja, në qese plastike. Shefja e financës i merr dhe shkon në zyrën e saj.
Ora 13:39:26, Valbona Duni me qesen me vlera monetare shkon në zyrën e saj.
Datës 20.04.2026 i përket mandati i pagesës nr. 2866, vlera 5.000.000 lekë, me përshkrim për llogarinë "Lidhje të brendshme dega Shijak", i nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e Degës Shijak, e dyshuar e falsifikuar).
- Më datë 24.04.2026, në orën 14:15, vjen punonjësi i shoqërimit të vlerave i "Nazeri" me dy thasë nga banka dhe i lë te arka, e pranishme Paola Dana. Në orën 14:18, njërin nga thasët e merr shefja e financës Valbona Duni dhe shkon te zyra e saj.
Ora 14:16:51, Valbona Duni merr thesin me vlera monetare dhe shkon në zyrën e saj.
Datës 24.04.2026 i përket mandati i pagesës nr. 3002 (vendosur me shkrim dore numri 2997), vlera 5.000.000 lekë, me përshkrim për llogarinë "Lidhje të brendshme dega Shijak", i nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e Degës Shijak, e dyshuar e falsifikuar).
- Më datë 30.04.2026, në orën 15:09:07, ndihmës-arkëtarja, në prani të arkëtares Paola Dana, mbush një thes me vlera dhe ia jep shefes së financës Valbona Duni, e cila e merr thesin dhe shkon në zyrën e saj.
Ora 15:10:03, Valbona Duni me thesin me vlera monetare shkon në zyrën e saj.

Është zbardhur dëshmia e ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, e cila u arrestua për vjedhjen e 700 mijë eurove në këtë filial.
Mataj deklaroi se pasi mori detyrën si drejtoreshë e Filialit të Postës Durrës, në fund të vitit 2025, ka ndjekur mënyrën e funksionimit të filialit dhe ka nxjerrë disa urdhra të brendshëm për forcimin e kontrollit mbi arkën, faturat dhe lëvizjen e vlerave monetare. Sipas saj, këto masa u kundërshtuan nga shefja e financës Valbona Duni, e cila ka debatuar lidhur me kontrollin e faturave dhe praninë e specialistit të sigurisë. Mataj tha gjithashtu se shefja e Financës, Valbona Duni, kryente transportin e parave nga banka, pa shoqërues dhe pa automjet të blinduar.
Ajo deklaron se, pas shqetësimeve për mënyrën e funksionimit të financës, ka kërkuar kontroll nga strukturat qendrore të Postës Shqiptare. Pas kontrollit dhe relacionit të grupit të punës, ajo ka propozuar masa disiplinore dhe lëvizje për disa punonjës, përfshirë Paola Danën dhe Luljeta Zelën, ndërsa për Valbona Dunin nuk ka propozuar lëvizje pasi ishte me leje dhe nuk donte të linte filialin pa drejtues të financës.
Më tej, ajo deklaron se ka dërguar përsëri propozime për lëvizjen e punonjësve dhe se më pas Valbona Duni ka dhënë dorëheqjen për arsye shëndetësore. Pas kësaj, duke pasur dyshime për mënyrën e dorëzimit të detyrës së financës, ka kërkuar informacion nga strukturat drejtuese të Postës Shqiptare lidhur me procedurën e marrjes në dorëzim të financës.
Dëshmia e plotë e drejtoreshës Elisabeta Mataj:
"...Prej muajit Nëntor 2025 deri në datë 14.07.2026 unë kam qenë drejtoreshë e filialit të Postës Durrës. Pasi kam marrë detyrën si drejtoreshë e këtij filiali, rreth fundit të muajit Tetor 2025, kam ndjekur dinamikën e punës dhe ka qenë hera e parë që punoja pranë këtij institucioni.
Në datë 26.02.2026 kam bërë një urdhër të brendshëm dhe kam urdhëruar që faturat, pasi të printohen dhe dalin nga ana e arkëtares, do të riciklohen nga Specialisti i Cilësisë dhe Standardeve, si dhe çdo hyrje e dalje e vlerave monetare do të monitorohet nga specialisti i sigurisë. Hyrjet në arkën e filialit dhe dhomën e sigurisë do të bëhen vetëm nga personat e autorizuar.
Shefja e financës, Valbona Duni, pasi ka parë këtë urdhër, ka debatuar me shefin e sigurisë, Minur Kodra, dhe i ka thënë se nuk ke të drejtë të kontrollosh faturat dhe të jesh prezent. Më parë shtetasja Valbona Duni ka debatuar me mua dhe më ka thënë: "Shefe finance jam unë dhe nuk e ke idenë se si punohet."
Pas debateve, në muajin Shkurt, në datë 02.03.2026 kam bërë një urdhër të brendshëm, ku në ambientet e arkës nuk duhet të hyjnë persona të paautorizuar nga titullari i institucionit.
Në datë 03.03.2026 jam paraqitur në Zyrën Qendrore Tiranë dhe kam kontaktuar me Administratorin, duke ngritur shqetësimin pasi diçka nuk shkonte te financa e Postës Durrës dhe i kam kërkuar grup kontrolli.
Pasi ka ardhur kontrolli, menjëherë po atë ditë, në datë 05.03.2026, unë i kam dërguar me e-mail, nga posta ime, shtetases Jerina Shkreli, pjesë e grupit të kontrollit të arkës, ku i kam thënë se: ‘Nga verifikimet që kam bërë, na rezulton se shtetaset Paola Dana dhe Valbona Duni nuk respektojnë rregulloret e institucionit. Shtetasja Valbona Duni bën tërheqjen e lekëve pranë BKT Bank pa mjet të blinduar dhe pa shoqërues, duke mos respektuar rregulloren e transfertave monetare, duke i marrë lekët me makinë personale.’
Në datë 10.03.2026, me nr. prot. 170/6 Prot., ka ardhur relacioni nga Drejtoria e Tiranës me rekomandimet përkatëse dhe ato janë përshkruar me hollësi aty. Këtë relacion e kam cikluar pasi ma ka sjellë shefja e Burimeve Njerëzore Durrës, e cila e ka për detyrë të njohë Valbonën dhe Paolën, si dhe personelin e përmendur në të, dhe të marrin detyrimet që janë në të.
Kompetenca për lëvizje të administratës është kompetencë e Administratorit të Postës Shqiptare dhe lëvizjet, në bazë të rregullores dhe ligjit, duhet t'i bënte Administratori.
Në bazë të këtij relacioni që më paraqitën mua, unë i jam përgjigjur relacionit me shkresat nr. 114/1 dhe 114/2 prot., datë 12.03.2026 dhe 13.03.2026, dhe i kam propozuar për masë disiplinore për shkeljet e punonjësve të përshkruara në relacion shtetasen Paola Dana dhe shtetasen Luljeta Zela, si dhe propozim për lëvizje dhe ndryshim vendi pune, kurse për shtetasen Valbona Duni nuk i kam propozuar lëvizje, pasi ishte me leje jashtë shtetit dhe nuk e lija filialin pa financë.
Më pas më ka ardhur një përgjigje me shkresë nr. 589/1 prot., datë 03.04.2026, ku thuhet se nuk i jam përmbajtur relacionit të grupit të punës mbi kontrollin e kryer në filialin e Durrës-Shijak mbi propozimet e nisura nga Tirana për lëvizjen e punonjësve të mësipërm.
Në datë 23.06.2026 i kam nisur propozimet përsëri për lëvizjen e Paola Danës, pasi Luljeta kishte dhënë dorëheqjen pasi iku auditi, ndërsa për Valbona Dunin jemi në pritje të rekrutimit të elementeve të rinj, pasi ishte problem lënia e vendit bosh, për të cilën nuk më kanë kthyer përgjigje akoma edhe sot.
Në datë 03.07.2026 shefja e financës, Valbona Duni, ka dhënë dorëheqjen me motivacion: "Për arsye shëndetësore jap dorëheqje", për të cilën nuk kam dijeni dhe nuk jam njoftuar nga Burimet Njerëzore. Shpresa, mbiemrin nuk ia kujtoj, pasi unë atë ditë kam qenë me dhimbje koke dhe kam shkuar me vonesë në punë, dhe Valbona e kishte dhënë dorëheqjen.
Kjo datë përkon me të njëjtën ditë që është mbyllur relacioni i auditit në Tiranë.
Ndërkohë që shefja e financës, Valbona, ka kërkuar verbalisht që, si llogaritare e parë, të propozoja një punonjëse të sportelit, Alba Biçak. Kjo gjë ka ndodhur para se të japë dorëheqjen.
Unë ia kam nisur propozimin Tiranës për këtë shtetase dhe, pasi u sigurua që u nis propozimi i saj, shefja e financës ka dhënë dorëheqjen. Si datë nuk e kam fiksuar, por në fillim të muajit Korrik më ka sjellë faturat e muajit Maj, Edlira Perfundi 2026, të mandateve të tërheqjes së lekëve nga arka, të cilat filloi që t'i firmosë dhe i ndërpreva në momentin që kam marrë vesh që shefja e financës kishte dhënë dorëheqjen.
Pasi kam thirrur Valbonën, e kam pyetur përse po ikësh. Ajo më ka thënë se kishte probleme shëndetësore dhe më propozoi një punonjëse tjetër me emrin Rezi ta vendosim në vendin e saj, duke e asistuar kjo si fillim. Këtë bisedë e kemi bërë te zyra e shefes së Burimeve Njerëzore me emrin Shpresa.
Në këtë moment më kanë lindur dyshime pse do iknin të gjitha këto pas auditit dhe kam telefonuar shtetasen e cila është Këshilltare e Administratorit të Postës Shqiptare dhe shefe e komanduar e Drejtorisë Ekonomike dhe i kam thënë se si funksionon dorëzimi dhe marrja në dorëzim e punës së financës kur ka dhënë llogaritarja e parë dorëheqjen dhe ndërkohë jep dhe shefja e financës, dhe i thashë kush do ta marrë në dorëzim punën e financës.
Shtetasja Edlira Perfundi më ka thënë që punën e financës e merr drejtuesi i institucionit, që isha unë. Unë i kam thënë se nuk jam ekonomiste dhe doja një ekspert për marrjen e financës në dorëzim nga Tirana.
Pas këtij kontakti, në datë 09.07.2026 ka ardhur kontrolli i punës nga qendra dhe më ka marrë në telefon Edlira dhe më ka thënë se ishte te institucioni i postës për kontroll. Unë isha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku jam dhe anëtare, por ju vazhdoni deri sa të vij unë, i kam thënë në telefon.
Unë kam shkuar rreth drekës në punë, u takova me grupin e punës së kontrollit dhe pas përfundimit të kontrollit më kanë ardhur në zyrë dhe më thanë: "Kemi konstatuar shkelje, që mungojnë një sasi lekësh në vlerën 69 milionë", sipas procesverbalit të mbajtur nga ana e tyre.
Unë i kam thënë se nuk kam dijeni për lekët, pasi është përgjegjësi e financës dhe nuk kam pasur asnjëherë ankesa nga zyrat apo degët për mungesë fondesh.
Në procesverbalin e mbajtur prej tyre, ndër të tjera, është shënuar se për diferencën e munguar të 69 milionë lekëve janë pyetur shtetaset Valbona Duni dhe Paola Dana se nga kush janë tërhequr këto vlera të munguara dhe pretendimi i tyre është se janë tërhequr rregullisht sipas datave nga drejtoresha e filialit Durrës, zonja Elisabeta Mataj, dhe ky fakt nuk është pranuar prej saj.
Pasi janë larguar punonjësit e kontrollit, unë kam thirrur në zyrë punonjësen Paola Dana dhe i kam thënë se: "E ke lexuar procesverbalin?" dhe ajo më ka thënë se nuk e kishte lexuar, por e ka firmosur se ka menduar për gjendjen e arkës.
Më tha se po bënte një deklaratë me shkrim se me drejtoreshën kishte pasur marrëdhënie korrekte dhe nuk i kishte kërkuar marrjen e lekëve nga arka për zyrat e tjera, pasi çdo gjë ishte menaxhuar dhe kontrolluar nga shefja e financës.
Unë nuk e mbaj mend pse shefi i sigurisë me emrin Mynyr më ka ardhur në zyrë, ku kemi diskutuar për problemet e punës dhe më tha: ‘Po plotësoj dhe unë një deklaratë që unë nuk të kam parë ty me vlera monetare.’
Më pas, unë të nesërmen, në datë 10.07.2026, i kam dërguar një email degës Tiranë, Edlira Perfundi dhe Eljen Xhafës, ku i kam thënë se nga kontrolli i bërë në datë 04.07.2026, nëse rezultojnë shkelje financiare, të më njoftojnë në mënyrë që unë, si drejtuese e filialit Durrës, t'i drejtohem organeve të drejtësisë dhe ata nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje.
Report Tv ka zbardhur dëshmitë e disa punonjëseve të Postës Shqiptare, pas skandalit për të cilin Gjykata e Durrësit la sot në burg Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare në Durrës dhe caktoi masat e sigurisë 'arrest shtëpie' për shefen e financës Valbona Doni dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj ose mbi 700 mijë euro.
Arkëtarja Paola Dana ka deklaruar gjatë dëshmisë së saj se gjatë periudhës prill–qershor 2026, me urdhër të drejtoreshës Elisabeta Mataj, transporti i vlerave monetare drejt filialeve të Shijakut dhe Krujës është kryer në disa raste pa shoqërinë fizike të kompanisë së sigurisë, në kundërshtim me procedurat e zakonshme.
“Që nga muaji prill 2026, drejtoresha Elizabeta Mataj në lidhje me shpërndarjet e lekëve në filialet e Shijakut e Krujës, ka dhënë urdhër gojarisht, transporti i lekëve në këto dy filiale të bëhet edhe pa shoqërinë fizike të kompanisë Security Nazeri, në rastet kur kishin tejkaluar oraret e transportit nën shoqërinë e ruajtjes fizike”, ka deklaruar Dana.
Ajo shpjegon se paratë tërhiqeshin nga banka, arkëtoheshin dhe më pas merreshin nga shefja e financës, Valbona Duni, e cila i dërgonte në zyrën e saj. Dëshmitarja nuk ka dijeni se kujt i dorëzoheshin më pas këto vlera, por pohon se mandatet e pagesës i silleshin të firmosura nga personat përgjegjës dhe ajo i bashkëngjiste në dokumentacionin ditor të arkës.
Sipas saj, më 9 korrik 2026 u krye një kontroll nga Posta Qendrore e Tiranës, ku inventari i arkës rezultoi në rregull, me përjashtim të një diferencë prej 25 eurosh, të cilën ajo e mbuloi vetë. Gjatë kontrollit mori dijeni se filialet e Krujës dhe Shijakut nuk kishin marrë vlerat monetare që, sipas dokumentacionit, ishin nxjerrë nga arka. Ajo deklaron se dëgjoi për një debat mes drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe shefes së financës Valbona Duni, ndërsa kjo e fundit i tha se vlerat monetare i kishte marrë drejtoresha dhe se përgjegjësinë duhej ta mbante ajo.
“Rreth datës 9 Korrik 2026, ka ardhur kontrolli nga Posta Qendrore e Tiranës përsëri dhe kanë bërë inventarin e arkës, ku çdo gjë ka dalë në rregull, me përjashtim të një diferencë të vogël prej 25 euro, e cila është zëvendësuar nga ana ime, pasi mund të ishte ndonjë gabim njerëzor gjatë punës.
Po atë ditë, nga kontrolli dhe në muhabet kam marrë vesh që filialet e Krujës dhe Shijakut nuk kanë marrë vlerat monetare të caktuara që janë nxjerrë nga ana jonë. Dua të theksoj që atë ditë kam dëgjuar që është bërë debat i madh mes shefes së financës Valbona Duni dhe drejtoreshës Elisabeta Mataj, por saktësisht nuk kam dëgjuar se çfarë kanë thënë, pasi kanë qenë në zyrat e tyre”, theksoi Dana.
Më tej, dëshmitarja deklaron se është thirrur në zyrën e drejtoreshës, ku ishte i pranishëm edhe shefi i sigurisë Minur Kodra. Sipas saj, drejtoresha i kërkoi të shkruante një deklaratë me shkrim dore, ku të pohonte se ajo nuk kishte hyrë në zyrën e arkës për të marrë vlera monetare. Më pas, i është paraqitur edhe një deklaratë e daktilografuar, të cilën ajo e ka lexuar dhe firmosur. Dëshmitarja shton se edhe Minur Kodra ka hartuar një deklaratë me shkrim dore, por nuk ka dijeni për përmbajtjen e saj.
“Shefes së financës Valbonës i kam shkuar te zyra dhe i kam thënë se ku janë vlerat monetare, pasi me dokumente i kam që i kam nxjerrë nga arka. Ajo më ka thënë që i ka marrë drejtoresha Elisabeta për t'i çuar dhe le ta mbajë ajo përgjegjësinë. Pas kësaj dite nuk e kam takuar më Valbonën.
Ndërsa drejtoresha më ka thirrur në zyrë, më datë 9 ose 10 Korrik, nuk e mbaj mend mirë si datë, ku në zyrën e saj ka qenë edhe shefi i sigurisë së Postës, Minur Kodra, dhe ajo më ka thënë: ‘A kam dalë ndonjëherë unë me thes nga zyra jote? Më ke dhënë gjë ti mua?’ Më pas më ka thënë që të shkruaj me shkrimin tim një deklaratë, në të cilën unë kam shkruar që drejtoresha nuk ka hyrë në zyrën time për të marrë vlera monetare nga arka.
Këtë deklaratë me shkrim dore e ka mbajtur drejtoresha dhe më pas, disa ditë të tjera, më ka thënë që duhet me kompjuter dhe deklarimi ishte i shkruar, ndërsa unë vetëm e kam lexuar dhe e kam firmosur. Gjithashtu edhe Minur Kodra e ka bërë këtë deklaratë me shkrim dore atë ditë te zyra e drejtoreshës, por unë nuk e di se çfarë ka shkruar ai”, ka vijuar Dana në dëshminë e saj.
-------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Report Tv ka zbardhur dëshmitë e disa punonjëseve të Postës Shqiptare, pas skandalit për të cilin Gjykata e Durrësit la sot në burg Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare në Durrës dhe caktoi masat e sigurisë 'arrest shtëpie' për shefen e financës Valbona Doni dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj ose mbi 700 mijë euro.
Në dëshminë e saj, ish-shefja e Financës, Valbona Duni, shpjegon se transferimi i fondeve nga Durrësi drejt degëve të Shijakut dhe Krujës ka qenë praktikë e zakonshme prej vitesh.
Duni thotë se “në janar-shkurt 2026 Drejtoria e Përgjithshme i kaloi rreth 22 milionë lekë Drejtorisë së Durrësit për efekt likuidimi.
Për periudhën prill-maj 2026 janë kryer mandate pagese me vlerë rreth 56 milionë lekë, ndërsa për degën e Krujës rreth 10 milionë lekë dhe 3 milionë lekë. Të gjitha këto shuma janë dërguar drejt degëve Shijak dhe Krujë nga drejtoresha Elizabeta Mataj”.
Sipas saj, drejtoresha Elisabeta Mataj i ka thënë se sporteli ‘Nazeri’ kishte tejkaluar limitin e rrugëve të parashikuara. Për këtë arsye sipas saj transporti i parave është bërë nga vetë ajo, me urdhër verbal të drejtoreshës Elizabeta Mataj.
Më tej ajo deklaron se ‘Mataj merrte thesin me para nga zyra e arkës, e çonte në zyrën e saj dhe bënte numërimin e lekëve.’
Sipas ish-shefes së Financës, në disa raste Mataj i ka futur paratë në çantën personale dhe është larguar menjëherë nga institucioni.
Në fillim të qershorit 2026, pas problemeve me likuidimin në ASHK, Duni thekson se konstatoi në sistem se ‘disa mandate ishin prerë pa dijeninë e saj dhe njoftoi drejtoreshën.’
Më tej Valbona Duni pretendon se për disa mandate pagesash nënshkrimet e saj dhe të arkëtareve të tjera nuk ishin autentike, duke përmendur konkretisht ‘mandatet e datave 7.5.2026, 12.5.2026 dhe 21.5.2026, të cilat sipas saj kishin mbetur pa firmën e drejtoreshës.’
--------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Pas dhënies së masës së sigurisë “arrest me burg”, ka reaguar avokati mbrojtës Ilia Ilia, që mbron ish-drejtoreshën e Postës Elizabeta Mataj. Në një prononcim për mediat, Ilia e cilësoi absurd vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë, pasi sipas tij, ndalimi është bërë tërësisht i paligjshëm.
“Vendimi ishte absurd për ish-drejtuesen. Absurd, sepse ndalimi është bërë i paligjshëm. Nuk ka asnjë provë që ta implikojë Elisabeta Matajn në bashkëpunim kriminal për vjedhjen e asaj shume. Mataj është emëruar drejtoreshë në tetor (2025) dhe parregullistë që ka konstatuar në sistemin finaciar brenda institucionit i ka denoncuar me shkresa në subjektin posta shqiptare në Tiranë dhe mbi bazën e tyre ka ardhur auditimi që ka zgjatur një muaj. Është konstuar shkelje nga dy subjekte të tjera, shefja e financës dhe arkëtares. Nuk ka asnjë provë që i ka marrë Elisabeta Mataj. Akuza thotë se ka tre sekuenca filmike që shefja e financës i ka dërguar paratë te zyra Mataj”, tha ai.
Komente









Ju avokatet jeni me hajduta se ato sepse mbroni dhe kamufloni te verteten,shkoni mbroni kto hajdutit e medhenje e lini ne burge njerzit e varfer se nuk kan se si tju pagusjne
Përgjigju