Avokati i Safet Bajrit ka marrë ditën e sotme me karrocë fashikujt hetimor të SPAK në ngarkim të klientit të tij.
Report TV ka siguruar pamjet e këtij momenti, teksa kujtojmë se Safet Bajri, sëbashku me Behar Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon akuzohen nga SPAK për vrasjen e Fatbardh Licit.
Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi.
Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit.
Kurse Eria Ago akuzohej se ka drejtuar një prej makinave të përdorura gjatë kësaj ngjarje. SPAK, pasi ka mbyllur hetimet për këtë grup, ka njoftuar se hetimet lidhen me disa ngjarje të ndodhur në vitin 2018 dhe se rezulton e provuar se mes të pandehurve dhe familjes Lici ka pasur konflikte të hershme, të lidhura kryesisht me kontrollin e territorit të qytetit të shoqëruara me ngjarje kriminale.
Po ashtu, siç e përmendëm më sipër, SPAK pretendon se pas vrasjes së Boran Bërcana dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci në korrik të vitit 2018 në Shkodër, Behar Bajri, në bashkëpunim me Safet Bajri dhe Astmer Bilalin kanë organizuar dhe vrarë në shenjë hakmarrjeje xhaxhain e Ibrahim Licit, Fatbardh Licin.
Komente










