Vrau babanë, zbardhet dëshmia e djalit: Ishte xheloz dhe me probleme mendore, pashë si nëna dha frymën e fundit!

Konispol- Detaje të reja dalin në dritë nga krimi i rëndë dhe i dyfishtë në familje, që ndodhi mëngjesin e 6 Gushtit, në fshatin Shalës të Konispolit.

Zbulohet dëshmia e plotë që ka dhënë para policëve dhe prokurorit të Sarandës, i arrestuari Klementi Islamaj, për dinamikën e ngjarjes dhe momentet fatale, teksa akuzohet se ka vrarë babanë Hysen Islamaj, 69 vjeç. Shkak ka qenë konflikti familjar dhe se viktima kishte sulmuar për vdekje më parë nënën (gruan e tij), Shane Islamaj, 66 vjeçe.

Në fillim ka dëgjuar të bërtitura nga banesa dhe kur ka shkuar pa nënën të shtrirë në dysheme dhe ende me shenja jete. Aty është përballur me babanë që mbante një gotë në dorë.

“Kur e pyeta se çfarë kishte bërë, më tha “e bëra atë që desha, tani radhën e keni ju” dhe më sulmoi në fytyrë”, ka rrëfyer 40-vjeçari para hetuesve, duke mohuar se e kishte vrarë të atin.

Në këto momente shprehet se nuk mban mend në i ka thënë gjë, por është vetëmbrojtur duke e goditur me shkelma e grushte, derisa i ati ra në brinjë. Është munduar ta kthejë në shpinë dhe më tej ka shkuar te nëna, e cila ka dhënë frymën e fundit para të birit. Më tej janë mbledhur banorët e fshatit dhe u njoftua policia vendore e Sarandës.

“Nuk desha ta vrisja, një moment kur nuk pashë fëmijët, u tremba se m’i kishte vrarë edhe ata. Ai ishte xheloz dhe me probleme mendore kohët e fundit, kurse nënën e dhunonte vazhdimisht”, ka thënë Islamaj nër të tjera në dëshmi.

 

Dëshmia e plotë e të akuzuarit Klementi Islamaj:

“Jam me banim në fshatin Shalës. Në shtëpi kam banuar me prindërit e mi, Hysen dhe Shano Islamaj dhe para rreth dy muajsh kanë ardhur në banesë edhe dy fëmijët e mi, pasi jam i ndarë dhe fëmijët qëndrojnë me ish-bashkëshorten time.

Sot (6 Gusht) në mëngjes, jam zgjuar herët nga gjumi, rreth orës 05:00 dhe kam zgjuar mamanë, që më bëri çantën gati për në punë dhe këtu kam parë se është zgjuar dhe babai im, i cili ka dalë nga shtëpia, ka marrë delet tona dhe është larguar. Pasi nëna më bëri gati çantën e bukës, kam marrë motorin tim, të markës “Modena”, me ngjyrë të zezë, dhe kam shkuar tek lokali në qendër të fshatit, tek lokali i shtetasit Serjan Myrto, pasi e kisha lënë me shokun tim Erjon Domeri, nga fshati Shalës, që të pinim kafe dhe më pas të shkonim në punë.

Kur kam shkuar tek lokali, Erjonin e kam gjetur të ulur vetëm në një tavolinë jashtë lokalit. U ula me të dhe kam porositur kafe, të cilën na e shërbeu e zonja e lokalit Adelina Myrto. Ishim duke pirë kafe me njëri-tjetrin dhe pas 10 minutash në lokal ka ardhur dhe daja im, shtetasi Nuri Tushi, i cili u ul së bashku me ne në tavolinë.

Pas rreth 2-3 minutash që Nuriu u ul në tavolinë me ne, kam dëgjuar zhurma, si të bërtitura njerëzish, që vinin nga drejtimi i shtëpisë sime. Nuk arrita dot ta fiksoj se kush pjesëtar i familjes ishte duke bërtitur. U shqetësova nisur nga fakti që dhe shoku im Erjoni më tha që këto zhurma vijnë nga shtëpia ime.

Menjëherë mora motorin tim dhe jam nisur për tek shtëpia ime. Kur arrita tek shtëpia, në oborrin e saj, nuk ishte asnjë person. Lashë motorin në oborr dhe më pas kam hyrë në banesë. Porta kryesore e banesës ishte plotësisht e hapur, siç e lëmë gjithmonë, ndërkohë në korridorin e banesës shikoj mamanë të shtrirë përdhe, me fytyrë nga sipër dhe shpinë nga pllakat, me këmbët nga ana e kësaj porte.

Në pjesën e dyshemesë ku ndodhej dhe trupi i nënës time ishte me shumë gjak. Në këtë moment kam parë se në korridor nga kuzhina e banesës erdhi babai im Hysen Islamaj, ku në dorën e djathtë mbante një gotë qelqi të tejdukshme dhe sapo u ndodh përballë meje, unë i fola, duke i thënë “se çfarë kishte bërë” dhe ai mu përgjigj: “Se çfarë desha e bëra, tani e keni radhën ju” dhe menjëherë pas këtyre fjalëve, më ka goditur me gotën që mbante në dorë në pjesën e fytyrës dhe hundës, por pa e lëshuar gotën nga dora. Në këtë moment, duke mos parë dhe fëmijët aty, jam trembur se dhe fëmijëve mund t’u kishte ndodhur e njëjta gjë.

Nga ky moment, jam tronditur shumë ku jam munduar t’i shmangem babait, shumë i tronditur nga ajo se çfarë pashë dhe mosgjetja e fëmijës, e kam qëlluar me grushte dhe shkelma babanë, por nuk kam përdorur asnjë lloj sendi kur kam goditur babanë. Pashë që babai është rrëzuar dhe kishte akoma shenja jete; në moment jam kthjelluar disi ku jam bërë pishman për goditjet e mija ku i kam dhënë dhe ndihmë për ta kthyer trupin me shpinë nga toka, duke qenë se ai, kur u rrëzua, ra me brinjë gati përmbys.

Pas kësaj, kam shkuar brenda në shtëpi për të parë nëse nëna ime ishte në jetë apo jo. Kur u afrova tek trupi i nënës, pashë që ajo po jepte frymën e fundit dhe një moment nuk reagoi më. Menjëherë pas kësaj, kam dalë në oborrin e banesës dhe kam thirrur me zë të lartë për njoftimin e ambulancës.

Kam fiksuar që aty pranë u ndodh dhe më dëgjoi shtetasi Ilirjan Avdiu, banor i fshatit Shalës, i cili ishte së bashku me shtetasin Izet Dauti. Pas thirrjeve të mia për ndihmë, të parët në banesë kanë ardhur shtetaset Mira Tushi dhe Mejdi Domeri dhe pas tyre shumë banorë të fshatit dhe familjarë të mi. Dua të them se personave që erdhën për të ndihmuar u kam pohuar se babai im kishte vrarë nënën time, ndërsa për babanë nuk mbaj mend në i kam thënë gjë apo jo.

Përsa u përket konflikteve në familje, deklaruesi ka pohuar faktin se, prej shumë vitesh, babai ushtronte dhunë verbale dhe fizike ndaj nënës së tij Shano Islamaj për motive xhelozie, si dhe për shkak të shqetësimeve të shëndetit mendor (citohet në dosjen hetimore)”.

A.Q/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur