Policia e Tiranës njofton se ka nisur procedimi penal për dy vajzat e Rifat Lalos, të cilat pak ditë më parë deklaruan në media, se babai i tyre ndërroi jetë pasi në spitalin COVID nuk ju krye shërbimi i duhur.

Policia njofton se dy vajzat kanë përhapur informacion të rremë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, për shtetasen Migena Qato, me detyrë mjeke.

‘Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.

Rifat Lalo, vëllai ish-deputetit të PD-së, dhe njëkohësisht ish-ambasador i Shqipërisë në Austri, Vili Minarolli, humbi jetën pak ditë më parë në Spitalin Infektiv, pasi ishte infektuar nga COVID.

Vajzat e të ndjerit bënë një denoncim në media duke akuzuar stafin e Spitalit Covid1 se nuk i kanë shërbyer të atit, e sipas tyre e kanë lënë në të ftohtë dhe madje nuk i kanë bërë as skaner, ndërkohë që u është thënë e kundërta.

Në lidhje me këtë deklaratë, reagoi edhe QSUT, ku sqaroi se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjendjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.

QSUT theksonte se 'duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente.’