Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, tha se një operacion i inteligjencës në vendin e tij e ka zbuluar një plan për sulm të menjëhershëm në sistemet e metrosë në Paris dhe në Shtetet e Bashkuara.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, al-Abadi tha se ai ishte informuar për këtë komplot gjatë ditës së sotme.
Sipas tij, ky ishte komplot i militantëve të grupit ekstremist ISIS.
 
Ndërkohë sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA dhe që kishin në shënjestër objektet e naftës të mbajtura nga grupi Shteti Islamik në verilindje të Sirisë vranë 14 militantë dhe pesë civilë.

Edhe Franca tha se avionët e saj luftarakë kryen një raund të ri sulmesh ajrore kundër objektivave të grupit Shteti Islamik në Irak. Dje, forcat amerikane dhe ato nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kryen 13 sulme ajrore në Sirinë lindore si pjesë e një operacioni kundër grupit Shteti Islamik.

Komanda Qendrore amerikane, e cila mbikqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, tha se sulmet kishin në shënjestër rafineritë e vogla të naftës që sigurojnë deri në 2 milion dollarë fitim në ditë për militantët. Besohet se grupi Shteti Islamik mban 11 fusha nafte në Irak dhe Siri.



Redaksia online
(g.f/shqiptarja.com)