Moda e dizajnit në lëkurë mund të ketë efekte në shëndetin tonë. Ndjeshmëria ndaj diellit dhe alergjitë janë efektet negative më të zakonshme. Alarmi vjen nga ekspertët evropianë të Akademisë Evropiane të Dermatologjisë dhe Venereologjisë.
Në Kongresin e fundit të zhvilluar në Paris, ata kanë kërkuar të forcojnë legjislacionin mbi bojërat e tatuazheve. Edhe pse ekzistojnë rregullat e higjienës dhe sigurisë, kujdesi ndaj infeksioneve pas tatuazheve është në nivele të ulta. Për këtë ekspertët kërkojnë të ndërhyjnë sa më parë që të jetë e mundur.
Me kërkesë të Komisionit Evropian, Agjencia Evropiane e Kimikateve ka përgatitur disa propozime për të eleminuar rrezikun e toksicitetit nga bojrat e tatuazheve dhe elementët kancerogjenë të tyre. Për të kufizuar këto efekte, sipas tyre duhen ndërmarrë masa të rrepta dhe metoda të përshtatshme analitike: Bojërat e tattoo duhet së paku të përmbushin të njëjtat standarde të sigurisë si ato të përdorura për produktet kozmetike.
Një studim i kryer ne Danimarkë rezultoi se në bojrat me ngjyrë të përdoruara për tatuazhet, gjenden gjurmë të metaleve të rënda. Ngjyrat e tatuazhit përmbajnë amina kancerogjene dhe hidrokarbure policiklike. Në shumë raste, përbërësit dhe kimikatet në ambalazhin e bojrave nuk janë të etiketuara qartë. Sipas dermatologëve rreziqet janë kryesisht: kontaminimi bakterial, alergjitë dhe rreziku i efekteve toksike.