Një telefonatë e ardhur mesditën e së hënës në Policinë e Fierit, e ngriti këtë të fundit në këmbë, kur 68 vjeçari Sino Troka nga fshati Dukas i Patosit deklaroi se kishte vrarë bashkëshorten e tij.

Shërbimet e policisë u nisën menjëherë në vendngjarje, por me të mbërritur në banesën e Trokës zbuluan se gruaja, 64-vjeçare ishte shëndosh e mirë.

Nga verifikimet rezultoi se i moshuari kishte bërë telefonatën në gjendje të dehur.

Për këtë arsye ai u shoqërua në komisariat ku po kryhen veprimet procedurale për rastin.

Njoftimi i plotë i Policisë së Fierit

"Rreth orës 14:30, në Sallën Operative të DVP Fier, ka telefonuar shtetasi S. T., 68 vjeç, banues në fshatin Dukas, Patos, i cili ka deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. T., 64 vjeçe. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes dhe kanë kontaktuar me telefonuesin.  Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. T., në gjendje të dehur, kishte bërë një njoftim të rremë. Shtetasja Sh. T. u gjet në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin S. T. në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale"