Një tjetër rast i një peshku tepër helmues është konfirmuar në bregdetin shqiptar, duke ngritur alarmin për pushuesit dhe peshkatarët.
Profesori Rigers Bakiu bëri të ditur se bëhet fjalë për të ashtuquajturin “peshku Qyle”, një specie e rrezikshme që tashmë është evidentuar për herë të dytë në ujërat tona.
Peshku i kapur këtë herë kishte një gjatësi prej 41 cm dhe një peshë rreth 1.2 kg.
Ky zhvillim, sipas specialistëve, tregon se prania e këtij peshku po shtohet, çka rrit edhe më shumë shqetësimin për sigurinë në zonat bregdetare, sidomos në prag sezoni.
Ekspertët janë të qartë: rreziku nuk lidhet vetëm me konsumimin. Peshku mund të jetë i dëmshëm edhe në kontakt fizik, pasi lëshon toksina të forta që mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.
Peshkatari Sherif Dyrmishi shprehet se si peshkatarët, ashtu edhe qytetarët, duhet të tregojnë kujdes të shtuar, pasi kontakti me këtë peshk, edhe vetëm përmes prekjes, mund të ketë pasoja të rënda, madje edhe fatale.
Sipas Dyrmishit, i cili ka njoftuar specialistët e zonave të mbrojtura, ky lloj peshku është hasur edhe 7 vite më parë dhe njihet për rrezikshmërinë e lartë që paraqet.
Pas marrjes së mostrave përkatëse, peshku do të asgjësohet, bën me dije Dyrmishi.
Komente











