Disa persona janë arrestuar pranë një baze ushtarake britanike që përdoret nga forcat ajrore amerikane, nën akuzën për shkelje të ligjit për eksplozivët. Disa banesa janë evakuuar, ushtria po kontrollon automjete në zonë, ndërsa çështjen e ka marrë në dorë antiterrorizmi.
Ngjarja është regjistruar të dielën në zonën e Whelford, pranë bazës ajrore të Fairford. Autoritetet britanike e kanë shpallur atë një “incident të rëndë”.
Policia bëri të ditur se një ekip i specializuar i ushtrisë për çaktivizimin e eksplozivëve po kontrollon disa automjete.
Hetimet po drejtohen nga antiterrorizmi. Sipas BBC-së, deri tani përjashtohet përfshirja e shërbimeve të inteligjencës.
Baza ajrore e Fairford i përket Forcave Ajrore Mbretërore të Britanisë, por përdoret edhe nga ushtria amerikane. Qeveria britanike ka autorizuar Shtetet e Bashkuara ta përdorin bazën për sulme ndaj pozicioneve iraniane të raketave që po godasin anijet në Ngushticën e Hormuzit.
Kryeministri britanik Andy Burnham po mbahet “vazhdimisht i informuar” për situatën.
Forcat Ajrore amerikane njoftuan se njësitë e tyre në Britani janë në gatishmëri dhe se do të marrin masat e nevojshme për sigurinë e ushtarakëve, civilëve, personelit të kontraktuar dhe familjeve të tyre.
Në korrik, Garda Revolucionare iraniane kishte paralajmëruar Britaninë që të mos lejonte bombarduesit amerikanë të ngriheshin nga baza e Fairford. Britania deklaroi atëherë se forcat e saj të armatosura ishin të gatshme të mbronin vendin nga çdo sulm.











Komente
Komento