TIRANE- Në të gjithë vendin numërohen 300 familje dhe 107 fëmijë të cilët jetojnë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Kjo u bë e ditur sot gjatë konferencës “Sfidat e gjakmarrjes”, të organizuar nga Instituti “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”. Nga 300 familje të ngujuara 70 prej tyre janë në proces pajtimi me anë të ndërmjetësve të pajtimit kombëtarë, ndërsa të tjerët po pajtohen vetë. Gjatë konferencës u theksua se në lidhje me këtë fenomen, kryesisht ka qenë problematike zona e veriut ku rrethet më problematike janë Shkodra, Lezha, Mirdita, Tropoja dhe Fushë Kruja.

E pranishme në këtë takim, Zv/Ministre e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj, duke shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi, deklaroi që problematika e këtyre fëmijëve është shumë e madhe dhe se duhen marrë masa emergjente për këtë fenomen. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe Selman Lika, banor i Burrelit i cili me ndihmën e ndërmjetësuesve ka arritur të falë gjakun e të vëllait. Ai i ka bërë apel shoqërisë civile që t’i lënë mënjanë armiqësitë, ta falin gjakun dhe t’i rikthehen jetës normale. 

Shkrimi u publikua sot (24.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)