Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) është në bisedime me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të përfituar një linjë kredie në vlerën e 100 milionë eurove.
ASD ka bërë të ditur se qëllimi i nisjes së bisedimeve për këtë linjë kredie është zgjerimi i burimeve financiare në dispozicion të Agjencisë. Kjo linjë kredie përfaqëson një burim rezervë financimi, që do të përdorej në rast se do të vlerësohet e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve, që mund të lindin ndaj depozitorëve të siguruar.
Me ligj, në rast falimentimi bankar, shteti garanton deri në 2.5 milionë lekë të reja ose kundërvleftën në valutë të huaj.
Garancia është një instrument gjerësisht i përdorur në fushën e sigurimit të depozitave.Linja kredie të ngjashme janë akorduar nga BERZH edhe për vende të tjera të rajonit si Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina dhe janë aktualisht në proces bisedimesh me Kosovën dhe Serbinë.
ASD bën të ditur se procesi i bisedimeve me BERZH-in ka nisur para gjashtë muajsh dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe, BERZH ka bërë një vlerësim të kujdesshëm të parametrave dhe ecurisë së Agjencisë. Pas vlerësimit paraprak, BERZH dhe ASD kanë nisur negociatat për përfitimin e linjës së kredisë.
Sipas ASD, vlerësimi pozitiv nga një institucion me reputacion ndërkombëtar si BERZH tregon se skema e sigurimit të depozitave është e shëndoshë dhe sigurimi i kësaj linje kredie do ta forcojë akoma më shumë skemën e sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë.Megjithë shenjat e fuqishme të krizës financiar, që ndihen edhe në Shqipëri, të shprehura në rritje të shkallës së kredive me probleme dhe ngadalësim të huadhënies, opinionet e drejtuesve të Bankës Qendrore vijojnë të këmbëngulin mbi atë se sistemi është i sigurt dhe i qëndrueshëm.
Treguesi më i rëndësishëm mbikëqyrës, mjaftueshmëria e kapitalit të sistemit bankar është 17%, nga 12% që është minimumi i detyrueshëm rregullator. Në dy vitet e fundit, mjaftueshëmria e kapitalit është rritur falë gatishmërisë së aksionerëve të bankave për të injektuar kapital shtesë, ndërsa paralelisht ngadalësimi i kreditimit ka ulur vlerën e aseteve me risk që duhen mbuluar me kapital, thekson BSH.
Shkrimi u publikua sot (04.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)