Alarmi i Bankës së Shqipërisë
Pa lekë për rrogat dhe pensionet

Alarmi i Bankës së Shqipërisë<br />Pa lekë për rrogat dhe pensionet
TIRANE - Një alarm i pazakontë dhe tepër i guximshëm ka ardhur dje nga njera prej anëtareve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sipas prof. Ermelinda Meksit, ekonomia shqiptare ka hyrë në “pikën e vdekjes”.  

Në një prononcim në FB, ajo thekson se “Koha kërkon ballafaqimin real të mendimit të lirë ekonomik. Sipas të dhënave të fundit fiskale, në 5 muaj u realizua 420 milionë dollarë deficit buxhetor ose në 5 muaj u realizua 90% e deficitit vjetor. Këto të dhëna vërtetojnë plotësisht tendencën e shfaqur qysh në 3 muajt e parë të vitit 2013, se ekonomia shqiptare ka hyrë në “pikën e vdekjes”.

Meksi parashikon se, gjatë vitit 2013, ecuria e deritanishme ekonomike tregon se nuk do të realizohen as të ardhurat minimale, me të cilat të mund të paguhen pagat, pensionet dhe interesat e borxhit, që po rriten si pasojë e borxhit galopant në vitet e fundit. Kjo situatë prezanton tashmë se ekonomia shqiptare ka rënie në krizë fiskale.

Ajo shton se “shitja e hidrocentraleve dhe të ardhurat nga privatizimi vetëm sa po sfazojnë procesin e stanjacionit dhe rënies ekonomike. Në të ardhmen rënia e të ardhurave do të thellohet duke konsideruar rënien e inputeve në ekonomi, si investimet, investimet e huaja direkte, kredinë e re, kurse masat e fundit për uljen e tatim-taksave do të ulin më tej të ardhurat buxhetore”.

E thënë nga një drejtuese e Bankës qendrore, kjo deklaratë është shumë serioze dhe do të duhej të merrej me seriozitetin e duhur, në rradhë të parë nga qeveritarët. Kjo nënkupton se shfrytëzimi “i egër” që u është bërë fondeve publike për qëllime kryesisht politike apo për investime jorentabël, duke e zhytur vendin në borxhe të papërballueshme, ka çuar tashmë në një moment shumë të rrezikshëm, që, në rast se nuk kapet në momentin e duhur, do të sjellë edhe në Shqipëri katastrofën greke.

Me tone më të buta, nevojën për ndryshime e ka përmendur disa herë kohët e fundit edhe guvernatori i BSH Ardian Fullani. Në takimin vjetor të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), mbajtur në Sarajevë pak ditë më parë, ai tha se është e nevojshme ndërmarrja e reformave të shpejta strukturore në ekonomi, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të tregut financiar, krijimin e politikave publike mbështetëse për sektorët e ekonomisë me potencial të rëndësishëm zhvillimi dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ U kapën me 30 kg marijuanë, 2 shqiptare në pranga

Greqi/ U kapën me 30 kg marijuanë, 2 shqiptare në pranga