Alarmi i OKB: Situata e rrezikshme për paqen

Alarmi i OKB: Situata e rrezikshme për paqen
NJU JORK - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehet i alarmuar se përplasjet mes Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Ban Ki-moon bën përgjegjës për arrestimet, tensionet, retorikën agresive, liderët e Kosovës dhe të Serbisë.

Ai bën me dije se në 14 maj Këshilli i Sigurimit do të debatojë për raportin mbi situatën në Kosovë.

“Megjithëse Prishtina dhe Beogradi kanë arritur rezultate në dialogun në Bruksel si dhe progres në agjendat e tyre përkatëse Evropiane, tensionet dhe konfrontimet në terren vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, thuhet në raportin e siguruar nga portali KosovaTimes.net nga burime ndërkombëtare në Neë York.

Sekretari Ban Ki-moon vlerëson se dy zhvillimet më të rëndësishme pozitive që kanë ndodhur gjatë katër muajve të fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, janë fillimi i studimit të Fizibiltetit për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian dhe kandidatura e Serbisë për anëtarësim në BE.

Sekretari i Përgjithshëm ka bërë me dije se përfaqësuesi i tij në Kosovë, Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif e ka njoftuar Beogradin se nuk mund të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë, duke nënvizuar se Qeveria e Serbisë është pajtuar me këtë.

Në raportin e OKB-së thuhet se për zgjedhjet lokale, UNMIK-u dhe Serbia do të bisedojnë sërish gjatë këtij viti.

Sekretari i Përgjithshëm ka përfshirë në raport një varg veprimesh të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Serbisë, të cilat sipas tij kanë shtuar tensionet, siç janë një seri arrestimesh hakmarrëse nga policia e Kosovës dhe policia e Serbisë.

“Më 25 shkurt policia e Kosovës arrestoi gjashtë punëtorë të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, me akuza politike. Më 8 mars, dy serbë të Kosovës, punëtorë të PTK-së së Serbisë, janë arrestuar nga policia e Kosovës për shkak se transportonin fatura dhe dokumente bankare. Më 12 mars, dy serbë tjerë, punëtorë të PTK-së, u arrestuan, ndërkaq më 27 mars, katër serbë të Kosovës janë arrestuar sepse po transportonin material për zgjedhjet serbe. Një ditë më vonë, një punëtor tjetër i PTK-së së Serbisë u arrestua sepse kishte me vete pagesa për pensionistë në Kosovë. Atij i janë konfiskuar paratë e pensioneve”, thuhet në raport.

Ai përmend gjithashtu se “Më 31 mars, xhandarmeria serbe arrestoi dy oficerë të policisë së Kosovës dhe i akuzoi ata për posedim të paautorizuar të armëve, në rrethana dhe lokacion që është ende nën hetime nga KFOR-i. Dy policët e Kosovës janë liruar dhe i janë dorëzuar EULEX-it”, thuhet në paragrafin 7 të raportit.

Ban Ki-moon nuk ka raportuar se arrestimi i policëve nga institucionet kosovare është cilësuar si rrëmbim brenda territorit të Kosovës.

(al.qe/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore