Kroacia lëshon alarmin ndërsa 40 mijë refugjatë pritet të hyjnë në vendin ballkanik në dy ditët e ardhshme.

Lajmin e ka konfirmuar vetë presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç e cila i ka kërkuar garanci Bashkimit Europian lidhur me emergjencën që po përjeton vendi.

Presidentja kroate deklaroi se për shkak të situatës së krijuar, do të jetë e paevitueshme që Zagrebi të përdorë ushtrinë.

Ne duam ti ndihmojmë të gjithë, por së pari duam të mbrojmë qytetarët tanë dhe ti garantojmë një jetë normale, si dhe të garantojmë stabilitetin e vendit”- ka thënë Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Presidentja i kërkoi BE-së të garantojë që nuk do ta lërë Kroacinë të vetme në këtë situatë, duke theksuar se vendi prej 4.2 milion banorë duhet të jetë realist për kontributin që mund të japë në këtë krizë.

Duhet të ndalojmë fluksin dhe të kemi garanci nga BE për fatin e të gjithë njerëzve që ndodhen në Kroaci”- tha presidentja.

Sipas saj situata e emergjencës me refugjatët është shumë më e rëndë se sa mendohej ndaj përdorimi i ushtrisë përgjatë kufirit është I paevitueshëm.

Nuk mund të presim më shumë refugjatë, situata është shumë e vështirë pasi refugjatët po vijnë më mijëra”- tha kryetarja e shtetit.

Rreth 17 mijë refugjatë kanë hyrë deri më tani në Kroaci përmes kufirit me Serbinë. Shifra është konfirmuar sot në mëngjes nga ministri i Brendshëm kroat, sipas së cilit emigrantët po I drejtohen me autobusë kufirit me Austrinë, ndërsa një pjesë janë larguar drejt Sllovenisë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)