Alba Carmona: Ja pse zgjodhëm 
 Tiranën për të sjell flamengon

Alba Carmona: Ja pse zgjodhëm <br /> Tiranën për të sjell flamengon
TIRANE- Një spektakël i vërtetë i ndërthurjes së muzikës, këngës, kërcimit flamengo ndezi mbrëmë Katedralen Ortodokse në Tiranë. Katër artistet spanjolle që kanë mrekulluar në çdo tur, këtë herë zgjodhën Tiranën për të sjell flamengon. “Las Migas” është kuarteti nga Spanja i përbërë nga 4 artiste Alba, Marta, Alisia dhe Roser, me origjinë nga veriu dhe jugu i Spanjës, të cilat i lidh së bashku pasioni i përbashkët: flamengo.

Ambasada Spanjolle në bashkëpunim me shoqatën ‘Syri Blu’ mundësuan këtë koncert në Tiranë. Quarteti ‘Las Migas’ përfaqësojnë një etapë të re, një lloj spektakli të ri, repertor të gjerë dhe vizion për të ecur përpara. Grupi përbëhet nga dy kitara, një violinë dhe një këngëtare/balerinë, duke sjellë një kuartet të pazakontë femëror të flamengo-s dhe muzikës mesdhetare, një shpërthim tingujsh të pastër, unik dhe rebel. Ky është universi muzikor i Las Migas. Prej krijimit të tij viti 2004, kuarteti ka dhënë koncerte në teatro dhe festivalet më të rëndësishme të muzikës botërore.
 
flamengo alba carmona

Një koncert që magjepsi publikun shqiptar. Si lindi ideja për të sjell këtë perfomancë në Tiranë?

Ideja ka lindur fal Esterit, Zëvendës-ambasadorja e Spanjës e cila përpara se të ishte këtu ishte në Shkup. Atë e kemi njohur në Shkup, në kohën kur ajo punonte atje dhe ishte pikërisht ajo që na kontaktoi për të ardhur në Tiranë. Na duket një vend shumë i ndryshëm nga Spanja, ka shumë gjëra që na tërheqin vëmendjen ka dhe gjëra që janë të ngjashëm! Njerëzit janë shumë të dashur, shumicën në oraret e ditës i gjen në kafene, ka shumë diell, na tërheq se shumë njerëz që kemi takuar flasin spanjisht. Gjatë këtyre 48 orëve, kemi vënë re që shqiptarët kanë nevojë për të njohur kulturën spanjolle. Kjo gjë na gëzon.
 
Kuarteti “Las Migas”, çfarë të veçante solli më shumë nga flamengo tradicionale?
Ne themi gjithmonë se, baza është flamengo dhe duke marrë këtë bazë infuluenca muzikore që ka secila prej nesh ndërthuret në një të vetme.
Ture të ndryshme, kush janë elementët që ju garantojnë suksesin?
Së pari ne kemi një propozim muzikor që i bën njerëzit për vete, tërheqës! në çdo koncert ka momente të ndryshme muzikore, ku gjen brenda, momente dramatike, të lumtura apo në ekzaltim. Nuk qëndrojmë vetëm tek një performancë, mundohemi të kemi larmishmëri në skenë.
 
Pse një kuartet me femra. Është element ky që ngjallë kuriozitet apo karakteristikat që ka secila përmbush suksesin në çdo vend ku perfomoni?
Kjo është një gjë e menduar, ka lindur natyrshëm. Është e vërtetë se kjo është një karakteristikë e grupit tonë dhe kjo bën që publiku të tërhiqet nga ky fakt. Mbi të gjitha, duke qenë se në flamengo nuk është tipike të ketë femra, kjo na ka rritur pritshmërinë e publikut, si një gjë e re në kuartet, por së brendshmi kjo nuk është diçka e menduar. Marta e ka iniciuar grupin, pasi ka luajtur në kitarë dhe pastaj u formua kuarteti ku secila nga ne sjell pjesën e saj.
 
Cili është momenti më i veçantë kur jeni ngjitur në skenë në turet koncertore?
Kemi qenë në çdo vend, por ballkani ka qenë ai që na ka surprizuar më shumë. Ai që duhet veçuar është koncerti në Shkup, pasi kënga e parë që hapëm koncertin ishte një këngë maqedonase. Ai ka qenë një nga momentet më të mira që kemi pasur si grup. Publiku ishte i jashtëzakonshëm, këndoi bashkë me ne duke ndezur skenën.
 
Kush është çelësi i suksesit të flamengos?
Vetë flamengoja është një instrument muzikor i fuqishëm që njerëzit i bën për vete kudo që janë dhe mënyra që ne e sjellim në skenë është ajo që na ka garantuar suksesin.
 
Cili ishte repertori që ndezët sallën e Katedrales Ortodokse?
Repertori që sollëm i përket albumit tonë të fundit dhe përfshimë një pjesë të këngëve të reja që do regjistrojmë tani. Spektakli nuk ishte linear, pati momente të ndryshme, ku nuk përjashtuam as kërcimin apo të kënduarit solo. Ne përpiqemi që dhe njerëzit të marrin pjesë, ne tentojmë që edhe pse tekstin nuk e kupton një pjesë e publikut ta ndiej këtë muzikë. 

flamengo alba carmona


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 06 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Kolegët e SPAK', gazetari Bregu: Veliaj nuk sulmoi drejtësinë, ka ndikim të madh te ambasadorët

'Kolegët e SPAK', gazetari Bregu: Veliaj nuk sulmoi drejtësinë, ka ndikim të madh te ambasadorët