Kosova ndodhet edhe një herë përballë një krize politike që nuk buron nga mungesa e legjitimitetit elektoral, por nga mungesa e vullnetit për kompromis. Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: a do të ndërtohet një marrëveshje politike mbi bazën e interesit shtetëror, apo vendi do të mbahet peng nga logjika e shantazhit politik dhe e kalkulimeve personale?

Albin Kurti gjatë gjithë karrierës së tij politike ka ndërtuar profilin e një lideri me bindje të forta, i cili rrallë ka pranuar kompromise që cenojnë vizionin e tij politik. Motoja e tij ka qenë pothuajse gjithmonë "ose i bëjmë gjërat sipas programit tonë, ose qëndrojmë në opozitë". Për shumë mbështetës kjo ka qenë dëshmi e integritetit dhe koherencës politike. Për kundërshtarët, përkundrazi, është interpretuar si mungesë fleksibiliteti dhe vështirësi për të ndërtuar konsensus.

Paradoksi është se kjo qasje, e cila e ka bërë Kurtin fitues të njëpasnjëshëm të zgjedhjeve, ka prodhuar njëkohësisht edhe një front politik të bashkuar kundër tij. Kundërshtarët e kanë konsideruar sfidën e tij jo vetëm politike, por shpesh edhe personale. Në vend që konkurrenca të zhvillohet mbi programe dhe alternativa qeverisëse, ajo ka marrë karakterin e një beteje për ta larguar Kurtin nga pushteti me çdo kusht.

Kjo klimë e ka zhvendosur debatin nga pyetja "çfarë është më e mira për Kosovën?" tek pyetja "si të mos qeverisë Kurti?". Pikërisht këtu fillon të lindë problemi i vërtetë institucional.

Edhe në këtë proces politik ekziston rreziku real që Kosova të mos arrijë një marrëveshje për krijimin e institucioneve dhe të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme. Një skenar i tillë do të ishte dëshmi se politika po funksionon më shumë mbi bazën e egoizmit dhe kalkulimeve personale sesa mbi përgjegjësinë shtetërore.

Albin Kurti i ka fituar edhe një herë zgjedhjet dhe, në çdo demokraci parlamentare, fituesi ka të drejtën dhe përgjegjësinë e parë për të tentuar krijimin e shumicës qeverisëse. Megjithatë, sistemi kushtetues i Kosovës kërkon konsensus më të gjerë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kjo do të thotë se, pavarësisht fitores së tij, Kurti nuk mund ta zgjidhë i vetëm këtë çështje.

Në aspektin elektoral, rezultati mbetet domethënës. Vetëvendosje ka siguruar gjashtë mandate më shumë sesa Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të marra së bashku. Ky është një tregues i qartë i besimit qytetar, por jo një shumicë e mjaftueshme për të zgjidhur çdo nyje institucionale.

Pikërisht për këtë arsye negociatat me LDK-në marrin një rëndësi të veçantë. Ato nuk janë vetëm bisedime për një shumicë parlamentare, por edhe për të përcaktuar drejtimin politik të Kosovës në vitet e ardhshme.

Në këtë ekuacion nuk mund të anashkalohet edhe figura e Vjosa Osmanit. Rikthimi i saj pranë LDK-së nuk prodhoi një rritje të ndjeshme elektorale për këtë forcë politike, por pesha e saj institucionale dhe politike mbetet e konsiderueshme. Duke qenë Presidente në përfundim të mandatit, çdo diskutim për formimin e institucioneve lidhet në mënyrë të pashmangshme edhe me perspektivën e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm.

Nëse objektivi politik i Vjosa Osmanit është një mandat i ri presidencial, atëherë kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në dinamikën e negociatave. Kjo nuk do të ishte e pazakontë në politikë, sepse çdo aktor kërkon të maksimizojë pozicionin e vet. Megjithatë, nëse ambiciet personale shndërrohen në kusht për funksionimin e institucioneve, atëherë rrezikohet që interesi shtetëror të kalojë në plan të dytë.

Nga ana tjetër, edhe Kurti duhet të përballet me një realitet të ri politik. Fitorja në zgjedhje nuk është e njëjtë me aftësinë për të ndërtuar shumica kushtetuese. Në demokracitë parlamentare, legjitimiteti elektoral duhet të shoqërohet edhe me aftësinë për dialog, kompromis dhe ndërtim aleancash. Një lider mund të fitojë zgjedhjet vetëm me votat e qytetarëve, por nuk mund të ndërtojë institucione funksionale pa bashkëpunim politik.

Nëse të gjitha palët mbeten të pozicionuara në logjikën "ose fitoj unë, ose nuk funksionon sistemi", atëherë zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhin krizën. Përkundrazi, ato mund ta thellojnë polarizimin dhe ta konsumojnë më tej besimin e qytetarëve tek institucionet.

Kosova ndodhet përballë një prove të rëndësishme demokratike. Historia do të gjykojë jo vetëm fituesin e zgjedhjeve, por edhe aftësinë e klasës politike për të ndarë interesin shtetëror nga interesat partiake dhe personale. Nëse marrëveshja politike ndërtohet mbi respektin e rezultatit zgjedhor dhe mbi përgjegjësinë kushtetuese, Kosova do të fitojë stabilitet. Nëse, përkundrazi, negociatat përdoren si instrument presioni apo shantazhi politik, humbësi i vetëm do të jetë shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj.