​Sot, Lindja e Mesme ndodhet përpara një udhëkryqi historik ku retorika e luftës finale po përplaset me realitetin e ftohtë të hartave dhe logjistikës. Ndërsa qarqet politike diskutojnë mundësinë që administrata Trump dhe Izraeli të ndërmarrin një invazion tokësor, analiza e ftohtë ushtarake tregon se ky skenar është praktikisht jashtë realitetit. Izraeli, në mënyrë kategorike, nuk do ta dëshironte një gjë të tillë, sepse e ka thuajse të pamundur të mbajë nën pushtim një vend si Irani. Me një sipërfaqe prej 1.6 milionë km² dhe një terren malor të pakalueshëm, Irani përfaqëson një "fortesë" natyrore që i kalon disa herë mundësitë e Izraelit për ta kontrolluar ushtarakisht. Mungesa e një kufiri të përbashkët e bën dërgimin e trupave një makth logjistik, ku çdo aventurë e tillë do të rrezikonte të kthehej në një boomerang ndaj sigurisë dhe vetë ekzistencës së shtetit të Izraelit.

​Megjithatë, pamundësia e një pushtimi klasik nuk do të thotë paprekshmëri për Teheranin. Nëse SHBA dhe Izraeli do të vendosnin për një ndërhyrje, ajo do të ndiqte skenarë të tjerë, shumë më cinikë dhe shkatërrues. I pari është pushtimi "blitz" i zonave strategjike të burimeve të naftës, veçanërisht në provincën e Khuzestanit. Duke marrë kontrollin e "venave" të naftës, aleatët do ta asfiksionin regjimin financiarisht brenda pak ditësh, duke i hequr mundësinë për të paguar ushtrinë dhe proksit e tij rajonalë. Ky nuk do të ishte një pushtim popullsie, por një kontroll asetesh që do ta nxirrte Iranin jashtë loje si fuqi energjetike.

​Skenari i dytë, dhe ndoshta më vdekjeprurësi, është inxhinieria e fragmentimit etnik. Irani nuk është një monolit; ai është një mozaik ku uniteti mes etnive nuk është aq i fortë sa pretendon propaganda zyrtare. Duke pasur parasysh se pakënaqësia e brendshme është në vlim, një ndërhyrje mund të synojë ndarjen e Iranit në disa entitete të tjera shtetërore. Rajone si Azerbajxhani Iranian në veri, Kurdistani në perëndim dhe Baluchistani në juglindje, janë "vija thyerjeje" që mund të nxiten drejt pavarësisë, duke e reduktuar Iranin në një shtet të vogël persian të rrethuar nga armiq.

​Paralelisht me këtë, një sulm "blitz" në kryeqytet synon eliminimin politik dhe fizik të elitës drejtuese. Pasi të jetë eliminuar praktikisht mbrojtja ajrore, forcat detare dhe potenciali raketor, "koka e gjarprit" do të ishte e ekspozuar. Megjithatë, edhe në këtë pikë, gjasat që SHBA të hyjnë me trupa masive mbeten të largëta. Qëllimi nuk është ndërtimi i një demokracie në Teheran, por gjymtimi i tij strategjik në mënyrë që të mos përbëjë më kërcënim.

​Në rrafshin ekonomik, ky rekalibrim do të thoshte një tërmet për tregjet globale. Kontrolli i burimeve iraniane dhe sigurimi i Ngushticës së Hormuzit do t'i hiqte Teheranit "armën" e tij kryesore të shantazhit global. Megjithëse procesi mund të shkaktonte një rritje të përkohshme të çmimeve, fundi i regjimit aktual do të eliminonte kërcënimin e përhershëm mbi 20% të naftës botërore, duke krijuar një stabilitet të ri të imponuar nga fuqitë perëndimore.

​Të gjitha gjasat janë që, përballë një shkatërrimi të tillë, ushtarakisht Irani do të pësonte dëme të pariparueshme në kohë record. Në këtë pikë, pragmatizmi i mbijetesës do të fitonte mbi ideologjinë. Regjimi do të ishte i gatshëm të hynte në bisedime me qëllimin e vetëm për të shpëtuar "dinastinë" dhe elitën nga e cila varet fati i mijëra personave të identifikuar me sistemin. Kjo marrëveshje do të ishte një paqe e turpshme, një kapitullim i maskuar që do t'i jepte Izraelit statusin e fuqisë së padiskutueshme rajonale.

​Por, siç na mëson historia e këtij rajoni, kjo do të ishte vetëm një paqe e përkohshme. Për sa kohë që burimet e konfliktit mbeten të pashteruara dhe marrëdhëniet mes Iranit dhe Izraelit janë të destinuara të mos kenë paqe të qëndrueshme, kjo pauzë do të shërbente vetëm si fundi i një lufte dhe fillimi i përgatitjeve për një të re. Në këtë lojë shahu, Irani mund të mbijetojë si emër në hartë, por si forcë perandorake, epoka e tij duket se po i afrohet një perëndimi të dhunshëm dhe të pashmangshëm