​Pasi bëra analizën time me titull "Reduktimi i deputetëve nuk e përmirëson demokracinë: Shqipëria ka nevojë për më shumë përfaqësim, jo më pak!", ku e kundërshtova këtë propozim me argumente e referenca, lexova një "lumë" komentesh që aludonin mes të tjerash se: "janë të gjithë hajdutë e kushtojnë shumë, prandaj duhet të ulet numri!"

​Në fakt, deri diku qytetarët kanë të drejtë. Shumica e atyre që kanë qenë e janë në Parlament nuk e kanë konsideruar mandatin si privilegj përfaqësimi, por si një mundësi punësimi duke siguruar një rrogë të majme. Megjithatë, këta që komentojnë në kohë zgjedhjesh, një pjesë e mirë janë votues që vazhdojnë të votojnë për këtë klasë politike dhe nuk i kuptojnë pasojat e rënda që do të jepte kjo reformë.

​Një reduktim i tillë e blindon Parlamentin në një rreth vicioz që do të ulte numrat e nevojshëm për reforma kushtetuese dhe do të ndalonte mundësinë që persona të pakapur nga sistemi të ulen në atë vend që duhet të jetë tempulli i demokracisë. Në shumë komente, nuk mungojnë edhe ata që i bëjnë ato sipas orekseve apo bindjeve që kanë ndaj liderëve që e kanë dominuar politikën në këto vite, duke e kthyer atë në "Tokë të zanun".

​Kur lexoj shpesh komente të tilla, më forcohet bindja: para se të bëjmë reforma, duhet të kemi qytetarë të lirë! Shpenzimet e deputetëve nuk janë asgjë nëse llogarisim fondet që marrin forcat politike kryesore për të "kapur" qytetarët, duke i mbajtur peng në interesin e tyre e kundër vullnetit të lirë.

Shpenzimet e njerëzve të pushtetit, shpesh nën akuza korrupsioni, janë shumë herë më të larta se kostoja legjitime e një deputeti në Parlament.

​Mohimi i lirisë për një kohë të gjatë kthehet në një gjendje normale dhe të pranueshme; kam frikë se pas 35 viteve tranzicion, diçka e tillë po na ndodh edhe neve. Nëse ndodh kjo reformë, Parlamenti do të kthehet në një përfaqësim dinastish.

Fëmijët e qytetarëve që aspirojnë të bëhen deputetë do të mbeten jashtë përgjithmonë, pasi ky vend do të bëhet një "mollë e ndaluar".

​Parlamenti rrezikon të bëhet pronë me testament vetëm për fëmijët e atyre që kanë dominuar këto vite, ose për ata që do të shkojnë aty për t'u shërbyer liderëve dhe jo për të përfaqësuar sovranin.

Praktikisht, nuk do të quhej më Kuvendi i Shqipërisë, por "Dhoma e Lordëve" të Shqipërisë.