Më në fund politika po riafrohet në argumentimet e mia në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Siç e kam thënë dhe e ritheksoj zvogëlimi i numrit të deputetëve nuk e rrit cilësinë e përfaqësimit në Parlament. Vazhdojë ta ritheksoj se nuk ka asnjë studim apo opinion profesional në demokracitë perëndimore se ulja e numrit të deputetëve rrit cilësinë e përfaqësimit dhe po ashtu rrit efikasitetin e funksionimit të pushtetit legjislativ.
Madje, mendoj se kur flasim për uljen e numri të deputeteve duhet të kemi parasysh shumë variabël të tjerë që lidhen me realitetet territoriale, historike, zhvillimin infrastrukturore dhe kjo gjë duhet të bëhet përmes një konsultimi të gjerë dhe duhet të bëhet përmes një Referendumi. Një shumicë parlamentare, kushdo qoftë nuk mund të vendos për fatet e saj në lidhje me përfaqësimin e sovranit, por duhet të jetë ky i fundit që përmes votës të jap fjalën e fundit. Gjithashtu, nuk është e vërtetë se zvogëlimi i numrit të deputeteve ulë shpenzimet. Kjo klasë politike madje ka dëshmuar hapur se nuk është ngarkesë fiskale Parlamenti duke marrë vendimin për dyfishimin e rrogave të tyre.
Mendoj, se në linja të përgjithshme, Kushtetuta shqiptare duhet të shikohet në dy Shtylla: Forma e Republikës. Përtej të kaluarës paranojake të një regjimit totalitar dhe të një udhëheqësi që qëndroj për rreth 40 vjet në pushtet, tashmë pas 35 vitesh tranzicion Kreu i shtetit duhet të zgjidhet drejtpërdrejtë me votë me një formë “Gjysmëpresidencializmi të butë” të ngjashëm me Rumaninë, ku kreu i shtetit të ketë pothuajse të njëjtat kompetenca të një republike parlamentare ose pak më shumë.
Me miratimin e të drejtës të votës të Shqiptarëve që jetojnë jashtë duke e ndryshuar demografinë e votuesit, mendoj se duhet të shikohet Kuvendi për një mundësi reale të kalimit nga “monokameral” në “bikameral” me një dhomë të dytë, që mund të quhet Senat ose edhe emërtim tjetër që mund të formohet edhe me përfaqësues të shqiptarëve që jetojnë duke përfaqësuar komunitete dhe realitete territoriale të ndryshme.
Nëse politika ka filluar të artikuloj këtë, do të thotë se ata nuk duan ta ulin numrin e deputetëve për shkak të barrës fiskal në kurriz të taksapaguesve, por duan të çimentojnë të drejtën ekskluzive e ndoshta përmes listave të mbyllura duke monopolizuar kështu në shërbimin e tyre pushtetin legjislativë. Krijimi i një dhomë të dytë në optikën e shpenzime mund të ketë më shumë shpenzime sesa ulja e numrin të një dhome të vetme siç është Kuvendi sot.
Gjithsesi, ndryshimet kushtetuese që ndryshojnë formën e shtetin, formën e qeverisjes, strukturën, përbërjen dhe funksionimin e Kuvendit, duhet të bëhen vetëm me referendum dhe jo me shumicë parlamentare. Shqiptarët duhet të japin konsensusin e tyre të drejtpërdrejtë për këto ndryshime.
Komente











