Adriatik Lapaj është sot i vetmi aktor politik që përfaqëson më shumë një lëvizje sesa një subjekt klasik politik që kufizohet në protesta përballë Kryeministrisë. “Shqipëria Bëhet” nuk është thjesht një parti; është një aksion politik në ndërtim, një proces ende i papërfunduar, që në vetvete përfaqëson idenë e ndryshimit.

Emërtimi “Shqipëria Bëhet” është domethënës: nuk flet për një realitet të kryer, por për një mision në ecje. Ndoshta Adriatik Lapaj do ta konsiderojë të përmbushur këtë subjekt politik vetëm atëherë kur “Shqipërinë ta ketë bërë”, sipas vizionit të tij politik dhe qytetar.

Lapaj është sot një nga të paktët që përballet drejtpërdrejt me pushtetin, i mbështetur nga një grup simpatizantësh dhe jo nga struktura privilegjesh. Establishmenti bëri gjithçka për ta përjashtuar nga çdo hapësirë pushteti, duke menduar se do ta eliminonte politikisht. Në fakt, ndodhi e kundërta: e lanë të lirë. Dhe kjo liri i dha mundësinë të protestojë si qytetar, bashkë me qytetarët, pa interesa për të mbrojtur apo privilegje për të ruajtur.

Për shumë shqiptarë, kjo është arsyeja pse protesta e tij shihet si e sinqertë: sepse ai nuk mbron pushtet, por sfidon pushtetin.

Në një moment kritik për vendin, Adriatik Lapaj ka zgjedhur rrugën më të gjatë dhe më të vështirë: përballjen. Në pamje të parë, kjo ngjan si një histori e paracaktuar për dështim. Por historia – dhe madje hidrografia politike – na ka mësuar se ata që tregojnë koherencë, guxim dhe këmbëngulje në kohë të trazuar, kalojnë një rrugë të vështirë, por dalin më pas si liderë të fortë. Sepse ujërat e turbullta nuk zgjasin përgjithmonë; ato shoqërojnë fundin e një establishmenti dhe lindjen e modeleve të reja të lidershipit dhe politikëbërjes.

Sot, si për pakicën e guximshme, ashtu edhe për shumicën indiferente, Adriatik Lapaj po shfaqet si një lider premtues, përtej marrëveshjeve të fshehta, interesave të pushtetit apo kalkulimeve të zakonshme për aleanca.

Ai ka zgjedhur një rrugë të vështirë dhe relativisht të gjatë, por potencialisht të suksesshme. Kritika kryesore që mund t’i bëhet është se lëvizja e tij ka nevojë për një kauzë të madhe, konkrete dhe gjithëpërfshirëse, që prek drejtpërdrejt jetën e çdo shqiptari. Diskursi për korrupsionin dhe keqqeverisjen është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të mobilizuar masivisht shoqërinë.

Adriatik Lapaj duhet t’i japë lëvizjes së tij një kauzë identitare, ashtu siç bëri Albin Kurti. Përballja politike mund të ketë kosto afatshkurtra, por në afatgjatë shpërblehet me besim politik dhe elektoral, duke e konsoliduar figurën e tij si lider.

Po ashtu, ai duhet të pasurojë diskursin politik, të rrisë oratorinë dhe të artikulojë përgjigje më të shkurtra, më të mprehta dhe më “të kripura” për çështjet kryesore.

Mbështetja ndaj Adriatik Lapaj do të varet nga koherenca, konsekuenca dhe vullneti për përballje pa kompromise. Ai duhet të jetë konstant, insistues dhe i gatshëm për sakrificë në funksion të kauzave dhe vizionit të tij politik.