Donald Trump thotë se SHBA-të “nuk dinin asgjë” për sulmin e Izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran të mërkurën.

Në një postim me tone të ashpra në Truth Social, presidenti amerikan paralajmëron Iranin kundër hakmarrjeve të mëtejshme pasi ky i fundit sulmoi kompleksin energjetik Ras Laffan në Katar. Sulmi shkaktoi “dëme të mëdha”, por pa të lënduar, sipas kompanisë shtetërore të naftës së Katarit.

Presidenti i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se në luftë ka nisur një fazë e re përballjeje. Në një postim në X, Ghalibaf ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër infrastrukturës energjetike iraniane synonin të fshihnin “humbjet” e tyre. “Është në fuqi ligji i ‘sy për sy’, dhe po fillon një nivel i ri përballjeje”, shtoi Ghalibaf.

Në një tjetër postim, Ghalibaf tha se “një tjetër revolucion ka ndodhur dhe është përhapur rrugë më rrugë” si reagim ndaj luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit. “Irani flinte; ju e zgjuat. Do të shpërthejë një stuhi.”

South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, e përbashkët midis Iranit dhe Katarit, dhe ka një rëndësi jetike për prodhimin energjetik të Iranit. Izraeli ende nuk ka komentuar.

Irani nisi sulme ndaj disa vendeve të Gjirit pasi goditjes së South Pars, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sulmet kanë bërë që çmimet e naftës të rriten me 4%, duke kaluar përkohësisht në 112 dollarë për fuçi.

Reuters raporton se administrata Trump po shqyrton dërgimin e mijëra ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme. Një nga opsionet e diskutuar është dërgimi i forcave tokësore në ishullin Kharg.

Një alternativë tjetër është vendosja e trupave përgjatë brigjeve të Iranit për të siguruar kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit. Administrata po shqyrton gjithashtu mundësinë e vendosjes së forcave për të siguruar uraniumin e pasuruar iranian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:33
Sulmet e Iranit, vendet arabe njëzëri: Të pajustifikueshme, të ndalojnë menjëherë!

Vendet arabe kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në përgjigje të sulmeve të Iranit, pas një takimi të ministrave të jashtëm në Riad të mërkurën.

Përfaqësuesit përfshinin ata nga Bahreini, Kuvajti, Libani, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të rajonit.

Në deklaratën e tyre, ata dënojnë “sulmet e qëllimshme” të Iranit, të cilat sipas tyre kanë shënjestruar zona banimi, infrastrukturë civile dhe objekte diplomatike. Këto nuk mund të justifikohen “nën asnjë pretekst”, thuhet në deklaratë.

Ata gjithashtu theksojnë të drejtën e tyre për vetëmbrojtje në përputhje me nenin 51 të OKB-së.

Deklarata u bën thirrje Iranit që “të ndalojë menjëherë sulmet” dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe “parimet e fqinjësisë së mirë”, duke u përmbajtur nga “masa apo kërcënime” që synojnë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Ata gjithashtu dënojnë “agresionin” e Izraelit ndaj Libanit dhe atë që e quajnë “politikë ekspansioniste në rajon”.

Ora 07:44
‘SHBA-të s’dinin asgjë për sulmin e Izraelit’, Trump kërcënon Iranin: Nëse godisni sërish Katarin, do t’ju asgjësojmë

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka publikuar një postim të gjatë në Truth Social lidhur me sulmin izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran, të mërkurën në mbrëmje. Si kundërpërgjigje ndaj këtij sulmi, Irani goditi Ras Laffan në Katar, një zonë industriale që përmban objektin më të madh në botë për përpunimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Në postimin e tij me tone të ashpra, Trump thotë se SHBA-të “nuk dinin asgjë” për sulmin e Izraelit dhe kërcënon me përshkallëzim nëse Irani sulmon sërish Katarin.

“I shtyrë nga zemërimi për atë që ka ndodhur në Lindjen e Mesme”, shkruan Trump, Izraeli “reagoi në mënyrë të dhunshme”. “Shtetet e Bashkuara nuk dinin asgjë për këtë sulm të veçantë dhe Katari nuk ishte në asnjë mënyrë i përfshirë, as nuk kishte dijeni që do të ndodhte.”

Por Irani nuk e dinte këtë, shkruan Trump, dhe se sulmet hakmarrëse ndaj Ras Laffan në Katar u kryen “pa justifikim dhe në mënyrë të padrejtë”.

Trump shkruan se Izraeli nuk do të sulmojë më fushën e gazit South Pars, “përveç nëse Irani vendos në mënyrë të pamend të sulmojë” një vend tjetër të pafajshëm, që në këtë rast ishte Katari. Nëse Irani sulmon sërish Katarin, Trump kërcënon se SHBA-të “do të shkatërrojnë plotësisht të gjithë fushën e gazit South Pars me një nivel force dhe fuqie që Irani nuk e ka parë apo përjetuar kurrë më parë”.

Ai shton se nuk dëshiron të autorizojë “këtë nivel dhune dhe shkatërrimi për shkak të pasojave afatgjata” për Iranin, “por nëse impiantet e Katarit sulmohen përsëri, nuk do të hezitoj ta bëj.”

Ora 07:39
Më shumë sesa kushtoi fushata zgjedhore e Trump, Pentagoni kërkon 200 miliardë dollarë për luftën në Iran

 

Pentagoni i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të miratojë më shumë se 200 miliardë për të financuar luftën në Iran, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës për Washington Post.

Gazeta thotë se kjo shumë do të tejkalonte ndjeshëm koston e fushatës së administratës Trump deri më tani, dhe synon të rrisë “urgjentisht” prodhimin e armëve kritike që janë konsumuar.

Gjatë dy javëve të fundit, Pentagoni ka paraqitur disa kërkesa të ndryshme financimi, dhe Washington Post thotë se kërkesa e fundit “ka gjasa të shkaktojë një betejë të madhe politike në Kongres”.

Ora 07:35
Ish-shefi i antiterrorizmit në SHBA: Vrasja e Ali Khameneit ishte gjëja e fundit që duhet të kishim bërë

Joe Kent, ish-shefi i antiterrorizmit në administratën Trump që dha dorëheqjen këtë javë për shkak të luftës në Iran, tha në një intervistë se operacioni SHBA–Izrael që vrau udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, “ishte gjëja e fundit që duhej të kishim bërë ndonjëherë”.

“Ai po moderonte programin e tyre bërthamor, po i pengonte të siguronin një armë bërthamore,” thotë Kent.

“Nëse e eliminon, nëse e vret në mënyrë agresive, njerëzit do të bashkohen rreth atij regjimi dhe rreth ajatollahut të ardhshëm që do të keni, dhe mendoj se kjo vërtetohet nga të gjitha të dhënat që kemi për djalin e tij,” shtoi ai duke iu referuar Mojtaba Khameneit, i cili është përzgjedhur si udhëheqësi i ri suprem i Iranit.

CBS raporton se Kent është nën hetim nga FBI për rrjedhje të informacionit të klasifikuar.