Irani nuk pritet të dorëzohet, por nga ky konflikt do të dalë shumë më i dobët ushtarakisht. Ky ishte përfundimi i analizës së bërë në emisionin “Bota Report” në Report TV, ku u diskutua për luftën në Iran përplasjen me SHBA-të dhe ndikimin e energjisë në këtë konflikt.
Sipas analistit Alban Daci, edhe nëse lufta mbyllet me një marrëveshje, revolucioni islamik dhe struktura e republikës islamike do të mbeten. Megjithatë, Irani pritet të humbasë kapacitetet ushtarake që e kanë bërë një faktor të rëndësishëm në rajon.
“Kjo luftë është e destinuar të përfundojë shpejt, me një paqe të përkohshme. Nuk do të kemi një dorëzim pa kushte të Iranit. Irani ka mbaruar. Sot nuk ka marinë detare, nuk ka forca ajrore pra ushtarakisht ka përfunduar. Problemi është struktura sui generis në funksionimin dhe ndërtimin e shoqërisë. Duke qenë se ka efekte fetare brenda do të ishte absurde të pretendohej një ndryshim i këtij shteti, pra kjo është ndryshe nga Venezuela. Gjasat janë që revolucioni islamik të mbetet republikë islamike në Iran por Irani nuk do të ketë kapacitete ushtarake dhe do të mbetet një shtet i dobët ushtarakisht që nuk do të jetë më problem për Izraelin dhe Lindjen e Mesme. Deri në qershor do të ketë përfunduar konflikti”, tha Daci.
Në debat u theksua se një nga instrumentet kryesore që Teherani po përdor në këtë përballje është kontrolli mbi ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë. Përmes saj kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit që furnizon tregjet globale, çka i jep Iranit një mundësi të fortë presioni ekonomik.
Analisti Geron Kamberi tha se që në fillim të konfliktit dihej se Irani do ta përdorte bllokimin e kësaj ngushtice si armën kryesore kundër ofensivës së SHBA-ve dhe Izraelit.
“Që në fillim të konfliktit u mendua se ngushtica e Hormuzit do të kthehej në armën kryesore të luftës. SHBA dhe Izraeli janë vende më të fuqishme përballë Iranit dhe ishte mëse e natyrshme që Irani të shikonte bllokimin e ngushticës së Hormuzit, ku kalon 40% e naftës dhe gazit të lëngshëm, si armë kryesore kundër ofensivës. Janë 20 milionë fuçi që kalojnë çdo ditë nga kjo ngushticë. Ndaj Irani, që e kontrollon këtë ngushticë, ishte mëse e natyrshme që do ta përdorte si kërcënim”, tha Kamberi .
Sipas analistëve, kontrolli mbi këtë korridor energjetik nuk ka vetëm rëndësi ushtarake, por edhe ekonomike. Në analizat ndërkombëtare është theksuar se Irani po përpiqet të përdorë Hormuzin si instrument presioni ndaj ekonomisë globale, ndërsa vazhdon eksportet e veta të naftës, kryesisht drejt Kinës duke i siguruar Teheranit një burim të rëndësishëm të ardhurash edhe gjatë konfliktit.
Daci e lidhi situatën me precedentë historikë, duke përmendur krizën e Suezit kur Egjipti bllokoi ngushticën dhe provokoi ndërhyrjen e fuqive perëndimore.
“Irani po bën lojën e Egjiptit kur ndaloi ngushticën e Suezit dhe u bë shkak për ndërhyrjen e francezëve dhe britanikëve. Në këtë rast, duke qenë se SHBA-të janë fuqia botërore dhe kemi një sistem unipolar me tendenca bipolare, pra tani kemi SHBA me një politikë agresive që nuk mbështetet në traditat historike të SHBA-ve, ndërhyrja është ekskluzivisht për çështjet e naftës”, tha Daci.
Ai përmendi edhe rastin e Venezuelës, ku afrimi me Kinën për modernizimin e rafinerive të naftës u pa nga SHBA si sfidë në një zonë që amerikanët e konsiderojnë pjesë të influencës së tyre gjeopolitike.
“Në rastin e Venezuelës, ajo kishte kontakte dhe po arrinte marrëveshje me Kinën për modernizimin e rafinerive të naftës. Ky ishte sinjali i parë që amerikanët nuk bëjnë tolerime në zona që i konsiderojnë zona ekskluzive të influencës amerikane. I njëjti skenar është në Iran dhe në të gjithë kontinentin afrikan ku depërtimi i investimeve kineze është shumë domethënës dhe potencialisht në kundërshtim me interesat gjeopolitike amerikane”, tha ai.
Sipas analistëve, roli i Kinës është një tjetër element kyç në këtë përplasje. Pekini është përpjekur të mos mbetet i varur vetëm nga një burim energjie dhe ka zgjeruar bashkëpunimin me vende si Rusia, Irani dhe Angola.
“Në Kinë është zhvendosur një pjesë e madhe e ekonomisë botërore dhe ndërprerja e menjëhershme e furnizimit me lëndë energjitike vë në rrezik zinxhirin e furnizimit të mallrave që vijnë nga Kina. Kina e kishte përqendruar vëmendjen ndaj burimeve që vinin nga Rusia por e bëri më të larmishme tregtinë me Iranin dhe Angolën. Pra Kina është përpjekur që mos të jetë e varur vetëm nga një burim energjitik”, shpjegoi Kamberi .
Në fund të analizës, analistët u dakordësuan me idenë se konflikti pritet të mbyllet relativisht shpejt me një paqe të përkohshme dhe jo me një dorëzim pa kushte të Iranit.
Komente







me i dobet do dali po ka shum mundesi qe te keté ndihma nga pothuajse gjysma e botes
Përgjigju