"Kancelarja mbështet shqiptarët, por ne duhet të zbatojmë kërkesat e rezolutës së PPE dhe Bundestagut”, kështu shkruan në një status të publikuar në rrjetet sociale, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Vokshi u takua me Angela Merkel gjatë punimeve të Kongresit të Partive Popullore Europiane në Zagreb. Ndër të tjera në reagimin e Vokshit thuhet se PPE u shpreh qartë me anë të një rezolute që Shqipëria të zgjidhë krizën e thellë politike dhe nëpërmjet një reforme të vërtetë zgjedhore, të përgatisë vendin për zgjedhje të lira e të ndershme.
Postimi i plotë i Vokshit:
Me Angela Merkel në Zagreb.
Kancelarja mbështet shqiptarët, por ne duhet të zbatojmë kërkesat e rezolutës së PPE dhe Bundestagut.
Gjatë Kongresit të PPE-së në Zagreb, m’u dha rasti të përshëndetesha me Kancelaren Angela Merkel dhe ta falenderoja për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria gjermane dhe ajo, personalisht, kanë dhënë për forcimin e demokracisë, zhvillimin dhe nxitjen e proceseve integruese në Shqipëri.
Kancelarja Merkel më siguroi se Gjermania dhe ajo vetë, do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët.
Vullneti i Gjermanisë dhe i vendeve të tjera të Bashkimit Europian u shpreh i qartë edhe në rezolutën e posaçme të PPE-së, ku kërkohet, para së gjithash, që Shqipëria të zgjidhë krizën e thellë politike dhe, nëpërmjet një reforme të vërtetë zgjedhore, të përgatisë vendin për zgjedhje të lira e të ndershme.
E vetmja pengesë për zbatimin e kërkesave të Perëndimit është qeveria e Shqipërisë.
Edi Rama refuzon të përmbushë kushtet e Bundestagut gjerman dhe të Partive Popullore Europiane. Ai vazhdon të sabotojë ngritjen e Gjykatës Kushtetuse, të shkatërrojë shanset për zgjedhjet të lira e të ndershme dhe të zhbëjë çdo përpjekje për një drejtësi të pavarur.
Rruga e vetme për ne është Perëndimi!
Shqipëria si Europa është ajo që duan shqiptarët dhe ne do ta arrijmë së bashku!