Qeveria ka prezantuar shoqërinë e re aksionare shtetërore “Albanian Digital Solution” (ADS), një kompani që do të operojë në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve dixhitale publike. Me një kapital fillestar prej 700 milionë lekësh dhe një strukturë të projektuar me 345 punonjës, ADS synon të marrë përsipër zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dixhitale të shtetit. Struktura e re do të mbulojë zhvillimin e software-ve, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, menaxhimin e infrastrukturës dhe qendrave të të dhënave, si dhe mbështetjen teknike për institucionet publike.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi krijimin e ADS si një hap të ri në revolucionin dixhital të vendit, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e AKSHI-t në transformimin e shërbimeve publike.

“Ditë e shënuar në rrugën e revolucionit dixhital. Sot ne bëjmë publike një kompani të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit të qeverisjes elektronike”, deklaroi Rama.

Sipas tij, AKSHI ka ndërtuar një histori suksesi, duke kaluar nga një numër i kufizuar shërbimesh në mbi 1200 shërbime publike online dhe duke arritur më shumë se 3 milionë përdorues në e-Albania.

Por me zgjerimin e sistemeve dhe rritjen e nevojave qeveria ka tentuar të ndajë rolet duke e pozicionuar AKSHI-n si autoritetin rregullator, strategjik dhe pronarin e të dhënave që harton politikat digjitale, ndërsa ADS-në si krahun operacional që bën punën praktike në terren.

“Lindi nevoja për të ndarë udhëheqjen e qeverisjes elektronike dhe kontrollin e cilësisë me gjithë nivelin operacional. Duke krijuar një kompani të re, ADS, që do të zhvillojë sisteme pa pasur gjithmonë nevojë që shteti t’i drejtohet privatit”, tha Rama.

Ambicia e qeverisë është që ADS të kthehet në kompaninë më të madhe dhe më të suksesshme publike në tregun e teknologjisë, me paga konkurruese dhe me mundësi për të punësuar talentet më të mira të sektorit.

“Kompania do të ketë pagat më të larta në tregun e shërbimeve dixhitale. Do të bëhet superfuqia e tregut të shërbimeve dixhitale publike. Do t’i paguajë punonjësit më mirë se çdo kompani në treg”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, një nga qëllimet kryesore është që institucionet shtetërore të mos mbeten më të varura nga kompanitë private për mirëmbajtjen e sistemeve kritike.

“Një kompani që të jetë garanci për institucionet e vendit që nuk mund të mbeten peng i privatëve në mirëmbajtjen e sistemeve të tyre”, tha ai.

Më 29 prill qeveria miratoi kalimin e një fondi prej 700 mln lekësh, mbi 7 milionë euro, ë cilat do të përdororen si kapital fillestar për shoqërinë aksionere “Albanian Digital Solution”, fond i cili do të përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Informacionit për vitin 2026-të.

Sipas funksioneve në Qendrën Kombëtare të biznesit, qeveria shqiptare ka përcaktuar zyrtarisht gamën e plotë të operacioneve për Shoqërinë e re aksionare shtetërore. Objekti i veprimtarisë ADS shtrihet nga administrimi i infrastrukturës publike e deri te partneritetet strategjike me sektorin privat, brenda dhe jashtë vendit. Në qendër të misionit të kësaj shoqërie është zhvillimi, operimi, mirëmbajtja dhe mbështetja teknike e sistemeve dhe platformave digjitale, si dhe administrimi i plotë i infrastrukturave të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Përtej funksioneve të pastra qeveritare, Shoqëria do të ketë një shtrirje të gjerë edhe në tregun e lirë, duke ofruar shërbime digjitale dhe mbështetje për transformimin teknologjik si për institucionet publike, ashtu edhe për subjektet private. Për të realizuar këtë, legjislacioni i ri i njeh kompanisë të drejtën për të kryer aktivitete studimore, projektuese dhe konsulenca të specializuara në fushën e TIK-ut, si dhe të ofrojë shërbime të tjera shtesë që përputhen me qëllimin e krijimit të saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:56
Krijimi i ‘Albanian Digital Solutions’, Ibrahimaj: Sjell potencial të ri ekonomik dhe zhvillim të industrisë vendase të teknologjisë (VIDEO)

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të  Albanian Digital Solutions (ADS), një strukturë e re publike që synon të mbështesë modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend. Ibrahimaj theksoi se, krijimi i ADS-së përfaqëson një fazë të re të zhvillimit të shtetit digjital shqiptar, ku AKSHI do të fokusohet në rolin strategjik, rregullator dhe monitorues të standardeve, ndërsa ADS do të shërbejë si instrument operacional për zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të administratës publike.

“ADS synon që Shqipëria jo vetëm të ndërtojë zgjidhje teknologjike për administratën publike, por edhe t’i eksportojë ato në tregje të tjera, duke krijuar potencial të ri ekonomik dhe duke zhvilluar industrinë vendase të teknologjisë”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Gjatë fjalës së saj, ministrja ndaloi edhe te projektet që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, veçanërisht në sistemin e prokurimeve publike, ku inteligjenca artificiale do të mbështesë hartimin e termave të referencës, përllogaritjen e fondit limit, kontrollin e dokumentacionit dhe monitorimin në kohë reale të procedurave të tenderimit.

“Qëllimi ynë është që Shqipëria të ketë sistemin e parë të prokurimeve publike tërësisht me inteligjencë artificiale dhe pse jo të eksportojë këtë sistem në të gjithë vendet e botës”, u shpreh Ibrahimaj.

Ora 13:26
PD: ‘Albanian Digital Solution’ është një AKSHI i dytë, skemë tjetër korruptive e qeverisë

Partia Demokratike e ka cilësuar kompaninë e re shtetërore ‘Albanian Digital Solution’, si një akt të pastër korruptiv me qëllim përvetësimin e parave publike. Ndër të tjera, në një deklaratë thuhet se ADS është një dublikim i AKSHI-t si dhe do të përdoret për gjobvënie nga institucioneve dhe sektorit privat.

“Është akti radhës i një skeme të pastër korruptive për kapjen e parave publike, fryrjen e administratës me militantë dhe ngritjen e një strofke të re për hapësira vjedhjesh galopante.

Nën pretekstin e ‘transformimit digjital’, Rilindja po krijon një super-agjenci paralele me kapital fillestar prej 700 milionë lekësh nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Kjo nuk është një reformë teknologjike, por një mega-skandal i hapur qeveritar që bazohet në katër shtylla:

1.Strofka e re e patronazhistëve dhe militantëve: Me një organikë të projektuar prej 345 punonjësish, kjo kompani duket se po ngrihet si një strukturë për të rehatuar militantët partiakë. Ndërsa qeveria pretendon se do të thithë ekspertë, në fakt ajo ka krijuar një strukturë piramidale me 5 departamente dhe dhjetëra drejtori për të shpërndarë poste dhe favore politike.

2.Zhvatje pa tavan pagash për klientët e qeverisë: Me paga që në tregun privat arrijnë deri në 3,000 euro neto në muaj, kjo kompani do të përdoret për të paguar rrogat e luksit të oborrtarëve të Rilindjes, duke u fshehur pas statusit të ‘biznesit privat’ që ushqehet nga buxheti i shtetit.

3.Dublim dhe fryrje e qëllimtë-AKSHI 2: 4.Monopol dhe gjobvënie ndaj institucioneve dhe privatëve. Ky vendim është dëshmia e një qeverie që po privatizon çdo shërbim për interesat e saj korruptive”, thuhet në deklaratën e PD.