Zoti Brojka ju e keni drejtuar vetë bashkinë e Tiranës, si iu duket nisma e për zgjerimin e bulevardit?
E gjykoj nismë pozitive. Tirana më 1990, kishte vetëm 200 mijë banorë, tani llogaritet të ketë gati 1 milionë. Pra është 5-fishuar. Nëse atëherë gjykohej si i parakohshëm zgjatimi i bulevardit, tani ka ardhur koha që Tirana të zgjerohet. Duke filluar me Unazën dhe paralelisht me të të nisë edhe bulevardi që të takojë këtë Unazë të madhe. Pra zgjatimi i bulevardit drejt Paskuqanit është një ide pozitive dhe tamam në kohë.
Ju i keni parë projektet, sipas jush cili prej tyre i përshtatet më shumë fizionomisë së bulevardit aktual?
Unë nuk jam arkitekt e as urbanist në zanat, por duke qenë kryetar i kësaj bashkie për 4 vjet, kam krijuar një ide. Firmat që morën pjesë në projektin për zgjatimin e bulevardit janë shumë prestigjioze. Tenderi është ndërkombëtar dhe është bërë mirë që është zgjedhur kjo metodë pasi janë ofruar firmat më prestigjioze që kanë ndërtuar, si të thuash Evropën.
Janë ngritur pikëpyetje përse nuk u ftuan edhe studiot shqiptare pasi duhet edhe eksperienca e shqiptarëve?
Eksperienca e shqiptarëve është në këto projekte. Studiot pjesëmarrëse mund të kenë mungesë eksperience sa i përket Shqipërisë, Tiranës, sepse nuk e njohin realitetin, por me sa kam dëgjuar kanë punësuar arkitektë shqiptarë në grupin e tyre të punës, kur kanë dalë në terren.
Projektet janë ekspozuar dhe thuhet se fituesin do ta zgjedhë populli, a mund ta zgjedhë populli një projekt të tillë?
Mendoj se nuk është vërtet populli i thjeshtë që do të japë verdiktin, por me këtë nënkuptohet populli i urbanistikës, i arkitekturës, shoqatat e arkitektëve, urbanistëve, shoqatat e ndërtuesve. Pra njerëz me eksperiencë që njohin edhe Tiranën, por njohin edhe ndërtimin, edhe arkitekturën. Pikërisht mendimi i tyre vlen shumë, dhe ky është populli që mund të japë verdiktin se cili është varianti që i vlen më shumë Tiranës. Unë i kam parë të gjitha variantet dhe dikush më shumë e dikush më pak i shkon për shtat Tiranës. Natyrisht më i shtrenjti është më i miri, dhe për mendimi tim për Tiranën, më mirë të paguhet më shumë dhe të kemi cilësinë më të lartë dhe të mos zgjidhet projekti më i lirë. Për kryeqytetin duhet harxhuar.
Projekti i ri parashikon që stacioni i trenit të shkojë në periferi. Disa janë kundër kësaj zgjedhjeje, pasi stacioni i trenit është një pikë kyçe dhe çdo kryeqytet e ka atë në qendër, ku mund të arrihet lehtësisht nga të gjitha, ju si mendoni?
Jo, unë nuk jam i këtij mendimi. Unë jam që stacioni i trenit, të spostohet. Po ta vini re aktualisht aty ku do të kalojë bulevardi, aty janë ca magazina të shkatërruara, ca shina të ndryshkura që u ka ardhur koha të hiqen. Para 20 vitesh transporti me tren, ishte mënyra kryesore e transportit. Ndërsa tani pas 20 vjetësh transporti më tren nuk është më kryesori, madje trenat më së shumti janë bosh. Por të zësh qendrën e Tiranës, për një tren i cili lëviz më shumë bosh se sa plot, ndaj ka ardhur koha që të spostohet stacioni në periferi dhe të jetë jo vetëm stacion treni, por edhe stacion autobusi, pra të jetë një stacion edhe për transportin hekurudhor por edhe për atë automobilistik. Ndërsa bulevardi i ri do i japë shumë gjallëri qytetit. Do të hapen biznese të reja, do të lidhë atë pjesë të lumit të Tiranës, që aktualisht është një lumë i shkatërruar, i ndotur tmerrësisht. Imagjinoni një lum siç janë ata në kryeqytete kryesore të Evropës, si Parisi, Londra: një lum të sistemuar. Atë që ne e quajmë lumi i Tiranës në të vërtetë nuk është lumë. Kurse duke shkuar vëmendja drejt lumit të Tiranës, duke e sistemuar me shelgje, me ujë, me lulishte, duke shkuar drejt në bulevard mendoj se i shërben Tiranës. Është një ide jashtëzakonisht pozitive. Nuk dua t'i vesh merita Lulzim Bashës, pasi këtë ide mund ta kenë pasur edhe të tjerë, por ai u tregua bashkëkohor pse kapi momentin që duhej ta bënte. Për këtë ai ka edhe mbështetjen e qeverisë dhe vetëm duke pasur mbështetjen e qeverisë ai mund të bëhet realitet. Po të ishte Edi Rama kryetar bashkie dhe të kishte këtë ide për bulevardin, nuk e bënte dot i vetëm, pa mbështetjen e qeverisë. Ai kushton. Me ata taksa që mbledh bashkia nuk e ka mundësinë financiare të investojë në një vepër të tillë
Ju keni qenë kryetar bashkie më 1996-2000 dhe më pas erdhi Edi Rama, përse asnjëri prej jush nuk e mori një nismë të tillë?
Unë nuk e propozoja dot vetë, sepse për mua personalisht do të ishte një ëndërr. Unë nuk e realizoja dot. Unë kam qeverisur në periudhën 1996-2000. Plus që e kisha buxhetin shumë të vogël, nuk e kisha as qeverinë me vete, pasi në atë kohë ishin socialistët në pushtet. Tirana atëherë kishte probleme nga më të shumtat. Të ardhur, zona që duheshin legalizuar, probleme të shumta të punësimit dhe do të ishte një luks që unë të mendoja për bulevardin. Nuk ishte koha. Edhe gjatë kohës që ishte Rama, bulevardi mund të hidhej si ide, por për ta ndërtuar nuk e ndërtonte dot.
Përse s'e ndërtonte dot Edi Rama?
Iu thashë që duhej mbështetja e qeverisë. Ndërsa Lulzim Basha gjeti momentin e duhur. Nuk dua ta mburr, por është vizionar. Kapi një projekt me të vërtetë që vetë unë, por edhe Rama e kishte lënë si në hije. Ishte një projekt që duhej kapur që në fillim dhe nxitur që në fillim. Është pak i kollajtë, sepse të bësh një bulevard në mes të Tiranës të hanë shumë para shpronësimet. Kurse aty nuk është shpronësuar, pasi një pjesë e madhe është pronë shtetërore dhe kur vjen puna të shpronësosh nuk ke për kompensuar pronarët. E ka bosh atë pjesë, nuk ka ndërtime që duhet të shemben. Ajo edhe me kosto del mirë, por sigurisht me mbështetjen e qeverisë. Pra Basha i gjeti mënyrat edhe për të hapur një tender, edhe për të bërë projektin. Më vjen mirë shumë mirë që ka deklaruar 2015-ën për ta mbaruar. Është projekti që i duhet Tiranës.
Basha pak ditë më parë ka deklaruar se paraardhësi i tij nuk ka bërë asgjë në këto 11 vjet, sipas jush a ka bërë punë për Tiranën Edi Rama?
Së pari si koncept, nuk punon Edi Rama, apo Albert Brojka apo Lulzim Basha. Ne jemi individë. Nuk kemi marrë kazmën apo lopatën të ndërtojmë Tiranën. Krytari i bashkisë është një individ që ka një mandat 4-vjeçar. Nëse bëhet diçka, atë e bëjnë taksapaguesit. Ndaj nuk është koncept i drejtë të thuash e bëri Brojka, e bëri Rama apo Basha.
Por ama kryetari, ka vizionin, merr nismat...?
Unë edhe këtu këmbëngul. Pasi kryetari nuk është ekspert në gjithçka që të ketë vizionin në çdo fushë. Janë njerëzit me të cilët punojnë, që i japin ide, propozime, këshilla. Dhe aftësia e kryetarit është të kapë mendimin e atij që ka vizion dhe ta bëjë konkret. Basha ka meritën se i mban dy veshët hapur dhe dëgjon, shënon, çfarë duhet ndërtuar, cilat janë pikat e dobëta...Gjë e cila i mungon Edi Ramës. Ai nuk të dëgjon. Edi Rama është megolloman, njeri që mendon "Jam unë, kam unë vizon dhe do të bëj sipas vizioneve të mia" dhe i injoron e neglizhon specialistët, daç te partia, daç te bashkia. Nëse vjen puna të krahasosh këta dy kryetarë, Basha ka meritën që dëgjon dhe atë pozitiven e merr.
A mendoni se Tirana ka nevojë për një projekt kaq të madh, kur ne akoma i kemi rrugët copë-copë dhe nuk kemi ujë të pijshëm?
Të gjitha bashkë. Tirana nuk mund të rrijë me një ose me dy projekte. Duhet të ecin paralel. Bulevardi është një projekt, furnizimi me ujë apo punësimi janë projekte të tjera. Projekti i Unazës është tjetër projekt.
Por bulevardi do shumë para?
Unë e fus te prioritetet. Por nuk jam që të përqendrohen vetëm këtu, duhet të mbulohen edhe nevojat e tjera.
Shumë debate dhe akuza po i adresohen bashkisë edhe për largimet nga puna, a është normale që sa herë ndërrohen kryetarët të ndërrohet edhe administrata?
Jo nuk është normale. Mendimi im personal është që stafin dhe specialistin duhet ta vlerësosh nga aftësitë, dhe jo nga bindjet politike. Pasi arkitekti, i majtë apo i djathtë, nëse është i aftë mua më duhet. Nuk duhen bërë largime nga puna në bazë të bindjeve politike. Nuk e di çfarë shkurtimesh janë bërë, por nëse janë bërë shkurtime politike unë i quaj të gabuara.
Le të flasim pak për sheshin "Skënderbej", një projekt i nisur nga Rama, i lënë për gjysmë dhe që u ndryshua nga Basha, duke i dhënë një zgjidhje provizore. A është e drejtë kjo, pasi pas tre vitesh do të kemi projektin përfundimtar?
Unë jam me Bashën. Edi Rama hapi një kantier ndërtimi në qendër të Tiranës dhe e la të hapur një vit e gjysmë. Shkatërroi trafikun, unë personalisht hiqja të zitë e ullirit për të kaluar aty ose devijoja rrugën. Tirana është ndërtuar në mënyrë të tillë që të gjitha rrugët të sjellin në qendër dhe po bllokove qendrën ke bllokuar trafikun. Ndaj më mirë një zgjidhje provizore që të çlirohet trafiku se sa në atë gjendje që ishte.
Duhet riparë projekti i sheshit kryesor të Tiranës?
Jo nuk duhet riparë. Të jesh e bindur se ai projekt do të vazhdojë, sepse Rama ndërtoi vetëm nëntokën dhe ajo është ruajtur. Bashkia nuk e ka prishur projektin e Ramës, nëntokën e ka lënë siç ishte dhe bëri një zgjidhje provizore deri sa të hartohet projekti përfundimtar, por për sipërfaqen ai mund të ketë ide të tjera. Mundet të ruajë po projektin e Ramës, por nuk ka shkatërruar paratë që janë hedhur për nëntokën.
Në planin e ri urbanistik që po hartohet është hedhur ideja që Tirana të mos ketë vetëm një qendër, por disa....?
Ideja për Tiranën me disa qendra është shumë e mirë. Nëse shkon një bulevard në Paskuqan dhe atje bëhet një qendër, do të thotë më pak makina drejt qendrës së Tiranës, më pak trafik..e Kështu me radhë.
Një nga problemet më të mëdha të Tiranës, është mungesa e hapësirave të gjelbërta, a ka çfarë rregullohet në këtë pikë?
Nëse flasim për unazën që ka qenë, ajo është thuajse e ndërtuar dhe nëse ka ndonjë vend për lulishte ose janë bërë ose janë në projekt. Por duhet menduar për zonat jashtë unazës. Dhe këtu, mesa kam parë unë janë me një mendj: si Rama, si Basha. Nëse në një sipërfaqe ndërtohet 50, 50 të tjera janë lënë për lulishte. Por këto mundësi janë, nuk mund të presësh që aty ku është bërë një pallat 5-katësh të prishet dhe të bëhet lulishte.
Duke e parë tani bashkinë e Tiranës, si një qytetar i thjeshtë, por që e njihni si funksionin, për çfarë mendon se ka nevojë ajo?
Tirana ka nevojë për para.
Tirana ka një buxhet prej 70 mln dollarë, nuk i dalin?
Jo nuk i dalin aq para. Por do edhe mbështetje politike, që për fat të mirë për momentin e ka. Sepse Unazën e madhe nuk po e bën bashkia, por po e bën qeveria. Por qeveria nuk e bëri gjatë kohës që ishte Edi Rama, ai thoshte kopshti botanik dhe merrej me gardhin. Të ketë sa më shumë marrëveshje me të huajt që të marrë sponsorizime, sepse projektet i ka.
Po kapacitet i ka bashkia i Tiranës, si në specialistë, ashtu edhe në menaxhim?
Sot ata projekte që janë bërë për bulevardin nga studiot prestigjioze, po t'ia japësh arkitektëve në 90% e bëjnë. Madje edhe në mendimin që është në këto projekte, është mendimi i arkitektëve shqiptarë. Arkitektët, urbanistët, ndërtuesit i kemi jashtëzakonisht të aftë. Nuk mungojnë specialistët, por financat për projektet... edhe mbështetja qeveritare. Të detyrosh qeverinë të bësh një unazë të madhe? Unë, kur isha kryetar bashkie të më thoshte qeveria do të bëj unazën e Tiranës, do t'ia dija shumë për nder. Ndërsa Edi Rama e kundërshtoi me pretendimin se prishej kopshti botanik, pasi atij nuk i leverdiste se ishte kryetar bashkie dhe njëkohësisht edhe kryetar i partisë në opozitë. Dhe nuk mund t'ia linte bërjen e Unazës së Madhe partisë demokratike pasi do i merrte votat. Dhe Rama pengonte një projekt në Tiranë se ishte kryetar partie, ishte në konflikt posti s'mund ti mbante të dyja. Kështu që u dëmtua Tirana! Edi Rama, bulevardin kryesor ku kalojnë gjithë automjetet, e bllokoi për javë të tëra sepse futi deputetët e tij në grevë urie. Por një kryetar partie nuk ia bën dot kryetarit të bashkisë së tij këtë gjë, ndërsa Rama e bëri se i kishte vetë të dyja postet.
Edhe bllokimi i buxhetit të Tiranës për dy vite me radhë ishet si pasojë e kësaj lufte politike?
Në një farë mase ishte pasojë e luftës politike. Në fund të fundit edhe opozita, meqë jemi në luftë politike, pasi kryebashkiaku ishte edhe kryetar partie, atëherë unë do të përpiqem që të të bllokoj, të të pengoj në punën tënde. Dëmi më i madh që po i sillte Rama bashkisë ishte sepse u bë kryetar i partisë. Personi që bëhet kryetar bashkie duhet të çlirohet nga politika, mundësisht të japë dorëheqjen nga të gjitha postet politike. Po u mor me politikë do të përdorë bashkinë për partinë dhe Edi Rama këtë bëri. Prandaj dështoi.
(sg/shqiptarja.com)