Kjo është pamja e faqes online të Fjalorit të ri të Gjuhës Shqipe dhe kështu do të duket ai përpara përdoruesit. Draft-fjalori tashmë është në pritje për fazat unifikuese. Anila Kananaj, koordinatore dhe redaktore teknike dhe shkencore e Fjalorit, shpjegon se në të janë shtuar rreth 70 mijë zëra të rinj.
“Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 1980 mungojnë fjalë të zakonshme, që tashmë janë futur, si: ballëlarë, bardhose, beqarisht, boshoj, boshohet, brengosës, brokoli, butëisht, dakord, direkt, demode, detaj, dezhurn, komplet (filxhanësh), korridor, raund etj.”, - tregon Kananaj.
Pjesë e Fjalorit të Shqipes tashmë janë edhe fjalë të rralla e të papërdorura më parë. Ndërkohë, zëra të tjerë të shtuar në Fjalorin e Ri janë edhe rreth 5 mijë njësi leksikore të ashtuquajtura të fshehura, 1500 shprehje të huaja të paasimiluara, 1200 emërtime të shkurtuara (akronime të tilla, si NATO, OKB, BE etj) , si dhe janë shtuar edhe pasqyrat gramatikore, lista të njësive matëse etj. Ndërsa janë shtuar edhe fjalë të reja nga vepra të Ismail Kadaresë, Martin Camaj apo Sabri Hamitit.
“Ky është një ilustrim nga fjalorët e nxjerrë nga veprat e plota të shkrimtarëve. Përshembull, kemi nga Ismail Kadare, Martin Camaj, Sabri Hamiti. Vetëm nga vepra e Ismail Kadaresë kemi rreth 85 400 fjalë. Nga Martin Camaj 38 400. Po ashtu nga Sabri Hamiti 39 300. Siç e shikoni janë lista alfabetike dhe programi nuk t’i jep të gatshme por duhen kërkuar një nga një.”, - thotë Kananaj.
Ajo shpjegon që pjesë e punës së hartuesve të fjalorit ka qenë edhe programi leksikografik i Oksfordit, ndërkohë që puna e bërë është mbështetur në korpus dhe në përdorimin real të fjalëve.
Por përveç shtimit të fjalëve të reja janë plotësuar edhe antonimet, vargjet sinonimike, si dhe janë plotësuar fjalët nga fusha e botanikës dhe zoologjisë me termin përkatës latin.
Tashmë, fjalë që në Fjalorin e 1980-ës shkruheshin ndryshe, vijnë të përmirësuara, ndërkohë që në fjalor janë futur edhe fjalë të reja, vargje sinonime, duke sjellë si shembull folje, emra foljorë dhe mbiemra foljorë që kanë të njëjtën bazë fjalëformuese. Në sistem janë plotësuar edhe paradigmat fjalëformuese, gjë që është bërë me të gjithë fjalët që janë futur në fjalor.
“Kështu janë rreth 100 fjalë që kanë në rrënjë të tyre fjalën psikologji, si: psikologji, psikiatër, psikiatri, psikiatrik etj. Është plotësuar paradigma që ka në bazë fjalën eci. Shqipja është zhvilluar shumë dhe ne e kemi pasqyruar këtë pasuri semantike, botëkuptimore në fjalorin tonë. Shembuj të tjerë. Ka pasur fjalë kaq të bukura që ne nuk e mendonim që shqipja i kishte, si përshembull vezullnatë për xixëllonjën apo malbrez për horizontin, brezi i maleve; anëkalim, erandje-aromë e mirë apo fjalëkalim, që tashmë njihet nga të gjithë. Ka dhe fjalë të reja si makush për struc etj.”, - vijon Kananaj.
Ajo thekson se ky fjalor është i mbarë shqipes dhe është bërë duke pasur parasysh dhe diasporën për t’u shërbyer edhe atyre që nuk e njohin mirë gjuhën shqipe.
Në Fjalor janë lënë dhe variante paralele të fjalëve që ekzistojnë në Fjalorin e '80-ës, por kanë edhe kuptime të reja, ndërkohë që janë bërë përmirësime dhe saktësime me fjalët funksionale.
"Ajo që është tipike në fjalorin e 80-ës është se fillohet me një informacion thellësisht gramatikor, që një folësi të zakonshëm të gjuhës nuk i bën shumë punë. Këto informacione teknike është përpjekur të shmangen ose të vihen në kllapa në fund në mënyrë që përdoruesit të drejtohen menjëherë te kuptimi i fjalëve.", - shpjegon Kananaj.
Në fjalorin e vjetër, emërtimet e pathjeshta me dy apo më shumë fjalë apo togjet kanë qenë zëra të veçantë dhe tashmë, në Fjalorin e ri janë futur si zëra kryesorë. Ndërhyrje dhe përmirësime janë bërë edhe në pjesën e shprehjeve frazeologjike.
Në Fjalor ka pasurime me shprehje frazeologjike të reja dhe ka përmirësime, verifikime e unifikime. Ndërkohë pjesë e fjalorit të ri është edhe një listë me 1200 shkurtesa dhe një listë me 1500 shprehje të huaja të paasilimuara.
Për hartimin e fjalorit kanë punuar mbi 55 bashkëpunëtorë dhe janë shfrytëzuar të gjithë fjalorët e deritanishëm, fjalorë tematike dhe krahinorë, vepra nga folklori, vepra të autorëve shqiptarë etj., si dhe janë nxjerrë të dhëna për numrin e fjalëve nga secila vepër dhe të dhëna edhe për fjalë unike.
"dakord" nuk eshte shqip. se di nga i keni gjet kto fjale Kjo fjale perdoret shume por jo qe eshte shqip
PërgjigjuOkej, byrazer!