Albert Gariku, francezi që u
dashurua me Pogradecin

Albert Gariku, francezi që u<br />dashurua me Pogradecin
Një oficer francez, me specialitet projektues dhe zbatues ndërtimesh, ka mbetur në Pogradec edhe pas Luftës së Parë Botërore, ku ka krijuar edhe familje. Akademiku dhe diplomati Luan Starova ka zbuluar planet e tij për ta kthyer qytetin, me të cilin ra në dashuri, në një “Venecie”
 
Këto ditë akademiku Luan Starova, me orgjinë pogradecar dhe ambasador i Maqedonisë për disa vjet në Francë, tha për gazetën Shqiptarja.com se, gjatë shfletimit të arkivave franceze dhe atyre shqiptare, duke kërkuar dokumenta të vjetra të Luftës së Parë Botërore për qytetin e Pogradecit, të cilat i shfrytëzoi për romanin e tij më të fundit “Dashuria e gjeneralit“, ka gjetur në to një material prej 12 faqesh, që  francezi Albert Gariku kishte realizuar me një titull “Pogradeci - Venecia e Ballkanit“.
 
KUSH ISHTE ALBERT GARIKU

Albert Gariku ka ardhur në qytetin e Pogradecit gjatë Luftës së Parë Botërore si oficer i ushtrisë franceze. Ai me profesion ka qënë ekspert dhe projektues ndërtimesh. Por bukuria e liqenit dhe qyteti i bukur në breg të tij lanë mbresa të veçanta tek oficeri francez, i cili mendoi të jetojë në këtë qytet, me të cilin, siç shkruan ai në kujtimet e tij, u dashurua marrëzisht. Kjo e detyroi Albert Garikun që të ndërtojë në breg të liqenit një vilë të bukur dykatëshe, e cila është prishur në vitet `70, atje ku sot ndodhet Hotel Turizmi ”Enkelana”, të cilën të gjithë pogradecarët e quanin shtëpia e Garikut. Albert Gariku, jo vetëm që u bë banor i Pogradecit, por krijoi miqësi me pogradecarët dhe tërë dijet e tij në fushën e ndërtimit filloi t`i vejë në shërbim të këtij qyteti, që ai e ka quajtur, që në momentin e parë, si ”Venecia e Ballkanit”, madje, dhe projektin e tij do t`a titullonte “Pogradeci – Venecia e Ballkanit“.

Gariku sëbashku me të shoqen Viktorinë lindën në qytetin e Pogradecit tre fëmijë: Madelonë, Edmondin dhe Renenë, të cilët i ka pagëzuar në kishën e qytetit të Pogradecit. Të moshuarit tregojnë se ai ishte i pari që solli nga Franca në qytetin e Pogradecit rrjeta peshkimi e varka metalike me motor. Njihet nga të gjithë miqësia shumë e ngushte e tij me qytetarin pogradecar Vasil Shuke .
 
ÇFARE PERFSHINTE PROJEKTI FRANCEZ

Gjatë viteve që qëndroi në Pogradec, Albert Gariku hapi së pari rrugën buzë liqenit deri tek spitali i vjetër i Pogradecit (bulevardi kryesor aktuali i qytetit) e më pas projektoi rrugën nga këmbët e kalasë deri tek sheshi i autobuzëve. Kjo ishte rruga e dytë e saj paralele, dhjetra metra mbi të parën dhe mbi këto rrugë, që ngjajnë me dy drejtëza paralele, njëra përgjatë bregut të liqenit dhe tjetra në pjesën e sipërme të qytetit, të cilat priten nga pesë rrugë perpendikulare, të cilat zbulojnë panoramën e liqenit dhe që andej të lejojnë të shohësh kurorën e kodrave me gështenja.

Kështu, rruga e parë ishte planifikuar aty ku ndodhet sot rruga “Rinia“, rruga e dytë tek “këmbimi i valutës”, rruga e tretë përbri Gjykatës së rrethit, rruga e katërt tek Qafa e Pazarit dhe rruga e pestë përbri Lumit të Madh të qytetit.

Francezi parashikonte që ta ngrinte spitalin e qytetit tek ”Qoshku”, një vend piktoresk në kodrat e gështenjave pranë lagjes “Goricë“.

Gjithashtu, projekti i francezit ishte që ujrat e zeza të qytetit të largoheshin me tuba çeliku në drejtim të Blatës së Zagorçanit dhe të hidheshin në kanale të thella të Blatës, më pas, duke kaluar nëpër torfën e saj, në një distancë prej 3 km larg bregut të liqenit, ato të bëheshin krejtësishtë të padëmshme.

Projekti kishte plot supriza, gjithashtu, edhe për dy lumenjtë që ka qyteti: Lumin e Madh dhe lumin e Vërdovës. Nga Gariku ishte planifikuar që këta dy lumenj të thelloheshin nën nivelin e ujit të liqenit dhe, më pas, me kanale të gjëra, të lidheshin nga kodrat lart me njëri-tjetrin dhe të bëheshin të lundrueshëm, duke lejuar vozitjen nëpër qytet me varka.
Në kalanë e bukur, të mbushur me vreshta, që e ka qyteti si kurorë, francezi kishte projektuar një kamping të madh pushimi, nga ku të zbrisje direkt në liqen nëpërmjet një teleferiku me shina hekuri.

Pjesa tjetër e projektit kishte të bënte me ndërtimet që do të kryeshin në qytet. Ato duhej të ngriheshin në funksion të pesë rrugëve dhe ndërtimet duhej të fillonin në një distancë të caktuar nga bregu i liqenit. I tërë bregu do të kishte ndërtime vetëm në pjesën e sipërme të rrugës, ku do të kishte ndërtesa të ulta dy-tri katëshe dhe ayre do t’u rriteshin katet gradualisht, pas largimit nga bregu shkallë-shkallë, deri në kodrat e qytetit dhe nga çdo pozicion i qytetit të shikoje pasqyrën e liqenit, si një skenë të madhe të këtij amfiteatri.

Nga i gjithë ky plan, janë realizuar bulevardi kryesor i qytetit, kinemaja e qytetit, shtëpia e tij (që u prish me kalimin e viteve) dhe centrali elektrik. Kur Gariku u bind se nuk mund të realizonte projektin e tij, në vitin 1933 u largua nga Pogradeci familjarisht në qytetin e tij të lindjes, në Perpinjan të Francës.

Gariku iku familjarisht në Francë, duke marrë me vete kujtimet më të bukura për Pogradecin dhe miqësinë e sinqertë të banorëve të tij.I biri Edmondi erdhi dy herë të tjera në Pogradec, duke u takuar me miqtë e shumtë të babait të tij.
 
NJE EPILOG I TRISHTE AKTUAL

Pogradeci në vitet e tranzicionit, nga 18 mijë banorë që kishte para vitit 1990, ka shkuar në 55 mijë banorë. Qyteti është shpërfytyruar në fakt, nga masakra që i është bërë prej ndërtimeve pa kriter, që janë bërë në breg të liqenit me dhjetra kate, duke i marrë frymën liqenit e qytetit. Në Pogradec, sipas një evidence zyrtare, mbi 60% e ndërtimeve janë pa leje. Qyteti është asfiksuar tashmë dhe nga projekti i Garikut ka mbetur shumë pak ...

Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi